Isa Mustafa përkujton veprimtarët Gërvalla, Zeka e Hajdaraj

Prishtinë | 17 Jan 2018 | 18:54 | Nga

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar veprimtarët e shquar kombëtarë, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, në 36-vjetorin e vrasjes nga regjimi ish-jugosllav, si dhe deputetin e LDK-së e komandantin e UÇK-së, Smajl Hajdaraj, të vrarë tinëzisht para 16 vjetësh.

Kryetari Mustafa ka vlerësuar rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm që vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, dhe më vonë Smajl Hajdaraj, dhanë për çlirimin e Kosovës.

“Intelektuali brilant dhe veprimtari Jusuf Gërvalla, bashkë me Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën ishin prijës të lëvizjes kombëtare për liri nën regjimin e ashpër komunist, në kohërat më të vështira.
Ndërkaq, 20 vjet më vonë, pas veprimtarisë së pakursyer në lëvizjen paqësore për liri, pavarësi dhe demokraci, Smajl Hajdaraj u vu në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Rugovës duke luftuar me trimëri dhe vendosmëri ushtrinë kriminale të Serbisë”, shkruan Mustafa.

Vrasja mizore e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, ashtu si edhe vrasja e Smajl Hajdarajt, sipas kryetarit Mustafa, u kryen nga ata që nuk e deshën Kosovën e lirë e demokratike.

“Por, Kosova është sot e lirë dhe e pavarur falë punës dhe luftës së paepur të veprimtarëve të saj të jashtëzakonshëm si vëllezërit Gërvalla, Kadri Zeka e Smajl Hajdaraj, të cilët do të përkujtohen e nderohen përjetë nga populli i Kosovës”, thuhet në përkujtimin e kryetarit Mustafa.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ndodhet duke u trajtuar në një spital në Gjermani, pasi u përball me disa komplikime shëndetësore. Ndërsa, njoftimin e ka dërguar Zyra e LDK-së për medie.

Të ngjashme