Isufi: PDK-LDK dëmtuan shtetin, do t’i çojmë në opozitë

Prishtinë | 12 Maj 2017 | 14:10 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë se PDK-ja dhe LDK-ja, gjatë mandatit trevjeçar e kanë dëmtuar në masë të madhe shtetin. Në një bisedë me Ekonomia Online, Isufi shprehet i bindur se këto dy parti do të shkojnë në opozitë pas zgjedhjeve që do të mbahen më 11 qershor.

Ai, madje, ka përjashtuar mundësinë që Aleanca të lidhë koalicion me këto dy parti që qeverisën bashkë.

“Koalicioni i tanishëm do të shkojë në opozitë dhe t’i shohë pasojat që i ka shkaktuar vendit. Ndërsa duhet të fitojë pozicioni tjetër i partive të cilat vërtetë e bëjnë ndryshimin. Prandaj as që duam të mendojmë për ndonjë koalicion i cili mund t’i bartë edhe më tutje këto pasoja vendit”, ka thënë ai.

I pyetur se a do të hynin në koalicion me PDK-në nëse kjo parti del fituese e zgjedhjeve dhe a do ta pranonin Kadri Veselin për kryeministër, Isufi nuk është përgjigjur prerë, por ka thënë se janë për ndryshime.

“Ne jemi për ndryshime, jemi për një qeveri e cila është e përgjegjshme e që mbron interesat e shtetit të Kosovës dhe mbron territorin e Kosovës. Këto parti të cilat kanë udhëhequr deri tani kanë treguar se për tri vjet vetëm e kanë shkatërruar vendin, prandaj meritojnë të shkojnë në opozitë”, ka thënë ai.

“Ne mendojmë për fitore, mendojmë për çuarje në opozitë të koalicionit që e ka pru këtë gjendje, nuk duam të mendojmë ndryshe sepse e dimë që edhe qytetari i Kosovës po mendon kështu”,ka thënë Isufi.

AAK-ja ka një koalicion parazgjedhor me Nisma-n për Kosovën. Ndërsa Isufi ka lënë të kuptohet se mund të kenë koalicion me Vetëvendosjen dhe AKR-në, por assesi me PDK-në dhe LDK-në.

“Me të gjitha partitë që e kanë kundërshtuar asociacionin, demarkacionin , kanë kundërshtuar të gjitha veprimet e kësaj qeverie që i kanë sjell dëm Kosovës dhe normalisht jemi të hapur në mënyrë që ta krijojmë një koalicion i cili mundëson fitoren. Prandaj, këtu nuk ka përjashtim asnjë parti e cila ka qenë në pozicionin e drejtë për Kosovës….Nuk kemi paraqit kushte sa i përket partive të cilat kanë mbrojt interesat e vendit”, ka shtuar ai.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 11 qershor.

Të ngjashme