Jakup Krasniqi: Mustafa po përdorë një gjuhë rrugaçësh

Prishtinë | 07 Maj 2017 | 10:48 | Nga

Ish-kryeparlamentari i Kosovës dhe një nga themeluesit e Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se kryeministri Isa Mustafa po përdorë një gjuhë të rrugaçësh, dukë bërë thirrje që të krahasohet gjuha e tij me atë të opozitës.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka sulmuar qeverinë për mënyrën e komunikimit dhe argumentet që përdor lidhur me mocionin e mosbesimit.

“Konsideroj se vetë mënyra sesi qeveritarët po e kundërshtojnë mocionin e mosbesimit, si vendorët e po ashtu edhe jovendorët, duhet ta kuptojnë se kjo qeveri duhet të bie e vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka shkruar Krasniqi.

Postimi i plotë i Krasniqit:

“A ËSHTË MOCIONI KËRKESË DEMOKRATIKE PËR QEVERITARËT TANË?

Mocioni është kërkesë dhe mjet demokratik në të gjitha vendet që shquhen me demokraci të konsoliduar, të cilin mund ta përdorë opozita, sa herë që ajo mendon se vendi po qeveriset keq e zgjidhja e së keqes janë zgjedhjet. Edhe pozita e ka të drejtën t’i përgjigjet me mjete demokratike, me kulturë e edukatë njerëzore kërkesës së ligjshme parashtruesve të mocionit të mosbesimit, duke ofruar fakte e dëshmi që tregojnë të kundërtën. Mënyra, e sidomos gjuha e komunikimit, që përdor Kryeministri dhe jesmenët e tij është gjuhë rrugaçësh, thënë më but sa s’ka më. Secili qytetar e ka mundësinë që ta bëjë krahasimin mes gjuhës argumentuese të mocionkërkuesve dhe mocionkundërshtuesve! Në vend se gjuha e Kryeministrit dhe e jesmenëve të tij të ishte gjuhë pacifiste, siç e kishin në kohën që nuk duhet ta kishin, ata po përdorin një gjuhë të ndyrë e shoviniste ndaj kundërshtarëve politikë. Nejse, ky vend e ka përjetuar goxha shpesh gjuhën shoviniste, ndërsa këta që po e përdorin po atë gjuhë, së cilës jo pak herë i kanë shërbyer verbërisht, madje deri në përkulje prej skllavi.

Politikanet shqiptarë duhet ta kuptojnë se demokracia si proces kërkon një gjuhë tjetër komunikimi. Kërkon gjuhën e komunikimit të Nënës e jo të “Babës”! Gjuha e Nënës është gjuha kombëtare e edukimit, është gjuha e kulturës dhe e arsimit, është gjuha e argumentit. Ndërsa gjuha e “Babës” është gjuhë e sundimtarëve të egër, që ne e njohim si gjuhë të “Babës Davlet”, të “Baba Musës” e të “Babës Hetë” e më vonë të “Babës Titë”! Këtë të fundit disa e kanë për nostalgji ndaj sundimtarëve të djeshëm, që nuk ju prish shumë punë po t’i kanë edhe të sotëm!
Në parantezë, a nuk i dëshmojnë lëshimet e pafalshme palës serbe në bisedimet e Brukselit, demarkacioni, Zajednica e çfarë jo tjetër?

Konsideroj se vetë mënyra sesi qeveritarët po e kundërshtojnë mocionin e mosbesimit, si vendorët e po ashtu edhe jovendorët, duhet ta kuptojnë se kjo qeveri duhet të bie e vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Është mbase normale që njeriu të mos dijë të qeverisë, pasi të qeverisurit është kulturë e traditë (jo e traditës alla Baba-Titë!), është përkushtim e dashuri për t’i shërbyer publikut, por të mos dish të komunikosh si njeri, është turp e shkuar turpit! Qeveritarët janë në shërbim të publikut dhe jo e kundërta.

Statistikat na tregojnë se në secilin komb, gatishmëria e njerëzve për të sakrifikuar për kombin e atdheun e tyre, sillet nga 3 deri në 5 për qind, ndërsa aftësia për të qeverisur është edhe më e vogël se kaq, natyrisht që këtu nuk po flasim për aftësitë grabitqare të njerëzve të qeverisë sonë!

Sipas të gjitha gjasave, qeveritarët tanë gjuhën e komunikimit e kanë po atë gjuhë komunikimi që e kanë shumica e njerëzve në rrjetet sociale, nuk mund të bësh diferencën, madje është vështirë të dihet edhe se kush nga cili mësoi gjuhën, apo le ta themi pak si me ironi, artin e denigrimit!

Kryeministri dhe jesmenët e tij sa herë që ndodhen në vështirësi, përdorin gjuhën e “akademikëve” të nivelit të “lartë” qëështë goxha vështirë ta hasësh edhe në gjuhën e rrugës në qytetet tona. Ata nuk e kanë për gjë që tëhedhin një mal akuzash ndaj atyre që i sollën në qeverisje të vendit. E në anën tjetër, harrojnë se e sabotuan luftën çlirimtare, nuk e dhanë asnjë llogari për fondin e trepërqindëshit, nuk dhanë raport për Dardania Bankën dhe i harruan 70 dosjet e të qeverisurit në Prishtinë! Dhe korrupsioni i tyre më i madh janë marrëveshjet e Brukselit me të cilat Kosova po humb jo pak sovranitet!

Vërtet, për qeveritarët tanë, mocioni i mosbesimit a thua është mjet demokratik apo mjet për sharje denigruese?! Sikur mocioni mos të ishte mjet demokratik, pse Kushtetuta ta parashihte si zgjidhje?!” (sic.), ka shkruar Krasniqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme