Jashari: Na takojnë pasuritë e ish-Jugosllavisë, me këtë çështje duhet të merren ekspertët

Prishtinë | 14 Kor 2018 | 08:19 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova ka propozuar qysh në vitin 2014 që në dialogun me Serbinë të bisedohet për katër tema të reja, ku përfshihej pjesëmarrja në pasuritë e ish-Jugosllavisë, në bazë të drejtës ndërkombëtare.

Çështje e pasurisë së Ish-Jugosllavisë që i takon Kosovës duhet të trajtohet nga ekspertët e jo nga politikanët, tha Kaçusha Jashari, njohëse e rrethanave politike në vend, për Ekonomia Online.

Jashari e cila ka qenë një nga politikanët kryesorë të Kosovës gjatë viteve 1986-88, tha se në fazën e fundit të dialogut, duhet të ruhet sovraniteti i vendit, e pastaj të hapen çështje të tilla për të cilat duhet kushtuar rëndësi ngase mund të kenë pasoja më vonë.

“Për këtë problem këtu duhet me u angazhuar ekspertë, na ekspertë kemi, por për fat të keq kjo politika aktuale mendon që krejt janë në duart e tyre edhe fuqia është vetëm me folë dhe fuqia është vetëm me kërkuar. Jo ma fuqi se dokumenti dhe argument nuk ka. Prandaj unë kam vërejtje se nuk diskutohet me ekspertë për këtë lëmi të pasurisë na kemi ekspertë që munden me dhënë shumë kontribut”.

“Janë disa sene që hapen ma vonë, por në qoftë se nuk vlerësojmë si duhet tani ka me na kushtuar me vonë. Aty e kam unë që Kosova duhet me marr në fund të dialogut si problem që duhet me ruajt sovranitetin”.

Madje sipas saj, nuk mund të shkohet më tutje në rast se nuk arrihet marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve.

“Unë nuk besoj që mundet me shkuar më tutje në qoftë se nuk arrihet marrëveshja përfundimtare, e cila duhet me i sqaruar dy shtetet. E pastaj vjen në ditë që të zgjidhen problemet, duke filluar prej pasurisë dhe disa probleme të tjera ekonomike, nuk është vetëm pasuria”.

Javë më parë, presidenti Hashim Thaçi dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq janë takuar në Bruksel, në të cilin diskutuan për fazën finale të dialogut mes dy vendeve.

Përkundër kësaj, në Kosovë ende nuk është arritur pajtueshmëri lidhur me platformën e për dialogun, e cila ndonëse ishte dërguar për miratim në Kuvend është tërhequr prapa nga kryeministri.

Mosarritjen e konsensusit për dialogun, Jashari e konsideron të panevojshëm. Ajo madje kërkoi që partitë të vendosin interesat e vendit para interesave të tyre.

“Partitë më tutje veten duhet me rënduar në rreshtime dytë, rreshti i parë është të gjithë bashkë për një marrëveshje e cila nuk e cenon Kosovës. Konsensus duhet me pas patjetër sepse është moment i përgjegjësisë nuk është tashti moment i partive se cila është parti me ma shumë përkrahje ose ma pak”.

Mungesa e konsensusit kishte detyruar kreun e ekzekutivit, Ramush Haradinaj që pasi kishte dërguar në Kuvend ta tërheq prapa platformën e cila do të mandatonte Presidentin si kryenegociator të dialogut me Serbinë, raporton EO.

Lidhur me këtë çështje, ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se në qoftë se udhëheqja e dialogut nuk i besohet presidentit si person atëherë Kuvendi duhet të marr përsipër këtë çështje.

“Nuk i besohet atij si person, por kush po e thirr në Bruksel për takimet me Vuçiqin, thirret Hashimi për është kryetar, ata nuk mundet kërkosh me mohu. Në qoftë se është humb besueshmëria te duhet Kuvendi me marr përsipër edhe pranimin e marrëveshjes eventualisht nëse vjen deri të një marrëveshje si pajtim mes Beogradit edhe neve, atëherë Kuvendi duhet të me aprovua pas aprovimit”.

Madje sipas saj, më e rëndësishme është marrëveshja e arritur mes dy vendeve sesa personi që e nënshkruan atë.

Ish-kryeministri Isa Mustafa kishte marrë vendim që të gjitha pasuritë e paluajtshme të regjistruara në emër të ish Jugosllavisë, Serbisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës të regjistrohen në emër të Kosovës.

Sipas të dhënave të Entit Gjeodezik të Serbisë bëhet fjalë për këto prona:Tokë në pronësi të Republikës së Serbisë në vlerë prej 29 për qind të tokës së përgjithshme në Kosovë.

Objekte, në hapësirë prej 1.240.992 metra katrorë të ndërtesave publike, 145.202 metra katrorë objekte për punë, 24.688 metra katrorë të ndërtesave banuese, 3.973 metra katrore objekt me rëndësi të posaçme, 753.916 metra katrorë të objekteve të tjera e të tjera, raporton Ekonomia Online.

 

Të ngjashme