Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka marrë seriozisht mesazhet e ndihmëssekretares së Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, që para pushimeve të verës të kryhet çështja e demarkacionit.
Kjo, pasi Qeveria në mbledhjen e parë të kësaj jave do ta procedojë për në Kuvend Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Ndihmëssekretarja e Shtetit, Victoria Nuland, duket se i ka dhënë zor të madh Qeverisë që të përfundojnë çështjen e demarkacionit. Ajo dha mesazhe të qarta për Kosovën, duke i bërë me dije pasojat me të cilat mund të ballafaqohet vendi nëse vazhdohet me këtë qasje të politikës.
Deklaratat e Nuland-it kanë bërë që kjo javë të jetë vendimtare rreth përfundimit të çështjes së demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Qeveria e Kosovës, pritet që në mbledhjen e parë që do ta mbajë këtë javë ta procedojë për në Kuvend Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Ky hap i ekzekutivit vjen vetëm pak ditë pas vizitës së Nuland-it në Kosovë gjatë një turi në Ballkanin Perëndimor, e cila dha mesazhe të qarta që para pushimeve të verës duhet të përfundohet ky proces./Zeri/