Jovanoviq: Serbia do duhej të ishte shteti i parë që do ta njihte Kosovën

Prishtinë | 11 Maj 2018 | 15:41 | Nga

“Kosova nuk është humbja e fundit e jona, por vetëm një qartësim më e mira e mundshme për Serbinë”. Këto deklarata i bëri kryetari i Partisë Liberale Demokratike të Serbisë, Çedomir Jovanoviq, në një ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB.

Jovanoviq në këtë ligjëratë tha se do të ishte mirë që Serbia të ishte shteti i parë që do ta njihte Kosovën, transmeton Ekonomia Online.

“Në marrëdhëniet normale, do të na mundësohej neve që të vijmë këtu pa kurrfarë droje, qoftë ajo shtëpi e ndonjë familje, manastir, punë, sport apo çfarëdo qoftë. Ju qartë e dini se çka doni, ju e doni anëtarësimin në OKB dhe njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë”.

“Heshtja e Serbisë në pyetjen se çka dëshiron ajo, paraqet një dobësi të madhe. Unë e di se çka do të dëshironte Serbia, por ne duhet ta kuptojmë se asgjë nga ajo se çfarë mendohet atje, nuk mund të zhvillohet e as të mbijetojë”.

Sipas tij, në Serbi nuk po e dëshirojnë Serbinë evropiane dhe nuk po dëshirojnë të ndryshojnë.

“Mendoj se nëse i tërë regjioni nuk shkon drejt Evropës, as Serbia nuk do të shkojë drejt Evropës. Tani janë zgjedhjet në Bosnje dhe çka nëse atje zgjedhjet ai që as vet nuk e njeh shtetin që do ta udhëheqë? A e vënë ata gishtin në kokë dhe të mendojnë se askush nuk e ka sjellë kurrë atë problem të Bosnjës. Tani Vuçiqi po i kthehet nacionalizmit dhe thotë se nëse e jep Kosovën do ta marrë Bosnjën, por kur e merr Bosnjën, cili është hapi tjetër, mund të bësh edhe zgjidhje të tjera, pse je i detyruar?”, pyet Jovanoviq, duke shtuar se fokusi i tyre duhet të jetë në ndryshimi i mentalitetit të mendimit të shoqërisë.

I pyetur nga studentët e Kolegjit AAB se nëse do të ishte gjallë Zoran Gjingjiq, a do ta njihte pavarësinë e Kosovës, ai u përgjigj duke thënë se nuk ka kuptim që problemi i Kosovës të mbetet gjithmonë i hapur dhe se po të ishte gjallë Gjingjiq, sipas tij, këtë pakuptimësi do ta eliminonte.

Jovanoviq, në këtë ligjëratë po ashtu foli edhe për marrëdhëniet e tij me politikanët kosovarë, ku tha se ai e respekton çdo zgjedhje të qytetarëve të Kosovës.

“Asnjëherë nuk kam kërkuar miqësi në politikë. Unë i respektoj njerëzit kur janë vetvetja dhe kur me të vërtetë kanë dhënë rezultat. Nuk kam diçka të përbashkët me Thaçin e Haradinajn. Ata janë këtu, unë jam në Beograd, por kur më pyesin se çka mendoj për ta, unë them se e respektoj zgjedhjen e juaj, kjo është zgjedhja juaj, ju i keni votuar. Nuk do të ishte në rregull nëse unë nuk do të isha pajtuar me zgjedhjen e juaj”, u shpreh ai.

Në këtë ligjëratë, lideri i Partisë Liberal-Demokratike të Serbisë u pyet nga studentët e Kolegjit AAB edhe për kohën se kur Serbia do të kërkojë falje për krimet që ka bërë në Kosovë, ndërsa përgjigja e tij ishte se serbët e kanë shumë të vështirë ta bëjnë këtë.

“Edhe pse e dimë që nuk kemi të drejtë, prapë vazhdojmë të sillemi kësisoj. Unë personalisht, në emrin tim personal, rrëqethem kur mendoj për atë se çfarë ka ndodhur dhe nuk mund të mendoj  fare për përkatësinë nacionale…” tha Jovanoviq, duke shtuar se Serbia e ka të vështirë ta bëjë një gjë të tillë, sado që të gjithë e dimë edhe për Srebrenicën…Por, u shpreh Jovanovic, kur Serbia ta kuptojë të vërtetën, atëherë do të jetë ne gjendje që të kërkojë falje.

Çedomir Jovanoviq, lideri i Partisë Liberale Demokratike të Serbisë, tani është në dekadën e tretë të angazhimit të tij në politikë. Ai ishte një prej figurave që udhëhoqën protestat e studentëve kundër Sllobodan Millosheviqit në vitet 1996-1997. Jeta e tij politike ka qenë përplot me probleme për shkak të besimeve të tij, veçanërisht mbështetjen e tij të hapur për pavarësinë e Kosovës. Atë e kanë kërcënuar me vdekje disa herë. Në vitin 2001, Jovanoviq i mbijetoi një atentati kur u aktivizua një bombë në veturën e tij.

Jovanoviqi ishte emëruar zv/kryeministër i Qeverisë së Serbisë, pas vrasjes së Zoran Gjingjiqit, kur në krye të Qeverisë serbe ishte emëruar Zoran Zhivkoviq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme