Kadaj-Bujupi paralajmëron kundërshtime të ashpra për Demarkacionin

Prishtinë | 27 Shk 2017 | 13:45 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi ka paralajmëruar veprime të ashpra sikurse asnjëherë deri më tani në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes për Demarkacionin.

Ajo në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se edhe pse nuk dëshiron të flas për veprimet që do t’i ndërmarrin në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje ka bërë me dije që nuk do të kursejnë asgjë për të parandaluar ratifikimit e Demarkacionit.

Sipas saj, këtë ia kanë borxh jo vetëm vendit por edhe aktivistëve politikë, siç thotë atyre që mbrojtën territorin e vendit.

“Nuk nuk do të flas për veprimet, por do të konfirmojë edhe njëherë që angazhimi, përkushtimi dhe vendosmëria jonë do të jetë më e madhe se asnjëherë më parë sepse këtë ia kemi borxh vendit dhe ia kemi borxh të gjithë atyre aktivistëve politikë në mesin e atyre edhe Astrit Deharit i cili e humbi jetën në burg në mbrojtje të territorit dhe sovranitetit të vendit duke kundërshtuar këto dy marrëveshje’, ka thënë Kadaj-Bujupi për Ekonomia Online.

Rezultatet përfundimtare të Komisionit të Pavarur të Ekspertëve për matje të territorit ajo i ka quajtur paragjykuese. Madje, ka thënë që kjo marrëveshje po kundërshtohet edhe nga qytetarët e asaj ane.

Sipas saj, kjo marrëveshje po tentohet të sillet në Kuvend për të legjitimuar gabimin e Komisionit për matjen e territorit.

“Kjo është një marrëveshje e cila po tentohet të sillet në Kuvend përmes një përpjekje për të legjitimuar gabimin ku një komision i cili paragjykoi në fakt rezultatet duke e ditur që bartësit e përgjegjësive në këtë institucion ka më shumë se dy vite përkrahin kryeministrin Mustafa, përkundër argumenteve dhe fakteve të shumta që e që bëhet fjalë për humbje të territorit”, ka theksuar ajo.

Ajo edhe njëherë ka bërë me dije që do t’i kundërshtojnë të gjitha veprimet e Qeverisë dhe të Kuvendit për ta ratifikuar këtë marrëveshje.

“Jokredibiliteti, mungesa profesionale dhe mbi të gjitha mungesa e anës morale, kombëtare bënë që ky institucion jokredibil tani më të tërhiqet sepse u pa edhe tërheqja e tre anëtarëve të këtij komisioni që bëhet fjalë për një përpjekje të vazhdueshme që Kuvendi të legjitimojë humbjen e territorit . Ne do të jemi aty të kundërshtojmë të gjitha veprimet dhe angazhimet e Qeverisë që ky Kuvend të ratifikojë një marrëveshje e cila do të humb territorr”, ka deklaruar Kadaj-Bujupi.

Qeveria insiston që me Demarkacion nuk humbet tokë, ndërsa opozita dhe ekspertët e pavarur vlerësojnë se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje tkurrë territorin e vendit.

Të ngjashme