Katër ministra raportojnë për MSA-në

Prishtinë | 05 Pri 2017 | 15:18 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Katër ministra të kabinetit qeveritar sot kanë raportuar në Komisionin Parlamentar për Stabilizim-Asociim për të diskutuar çështjet e përbashkëta që kemi si shtet në raport me integrimin në Bashkimin Evropian si dhe me obligimet që ka Kosova të cilat dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA).

Kryetari i këtij komisioni, Xhavit Haliti, ka thënë se gjatë këtij raporti ministrat kanë qenë konstruktivë dhe u janë përgjigjur të gjitha pyetjeve të anëtarëve të komisionit, raporton Ekonomia Online.

“Ishte takim pune, takim i përafrimit të qëndrimeve në mes të pozitës dhe opozitës për çështjen e integrimit, takim për të dyja palët të Qeverisë dhe Parlamentit, respektivisht të komisionit për Stabilizim Asociim, i cili është i vetmi komision që është pjesë e Parlamentit Evropian dhe është hapi i parë i Parlamentit të Kosovës për t’u orientuar kah Evropa dhe për t’i realizuar kushtet që kemi nga Parlamenti Evropian dhe nga Këshilli i Evropës dhe institucionet e tjera në Bashkimin Evropian për ta marrë liberalizimin e vizave, për ta marr edhe integrimin e Kosovës në BE”ka thënë ai.

Ai tha se vendimin për mbyllje të komisionit është si rezultat i mungesës së kushteve të punës. Ai ka thënë se mbyllja për medie nuk i bënë dëm as transparencës e as medieve.

Stavileci: Do t’i përmbushim detyrimet e MSA-së

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka theksuar se në këtë komision ka raportuar për sektorin e minierave dhe teknologjisë së informacionit.

“Pajtohemi të gjithë një zëri dhe besoj që kjo është e mira e kësaj agjende që është dhe do të duhej të ishte për të gjitha partitë politike njëjtë, një agjendë ku dominon një frymë koncensuale sepse janë detyrime të gjithë neve, çfarëdo që bëjmë rrezaton pozitivisht ose negativisht për shtetin dhe shoqërinë tonë, rrjedhimisht edhe për ekonominë e vendit tonë”, ka thënë ai.

“Unë raportova për sektorët e energjisë, minierave dhe teknologjisë së informacionit që janë shumë të rëndësishëm dhe zënë një pjesë kapitale edhe në kuadër të kësaj marrëveshje dhe mendojmë që edhe në takimet e ardhshme shpresoj ne do t’i kryejmë detyrat tona, do të përballemi me sfida të reja dhe do të mundohemi që në aksin Qeveri – Kuvend t’i përmbushim të gjitha detyrimet që kemi”, ka thënë Stavileci.

Ahmetaj: Demarkacioni mbetet kusht për integrimin evropian

Ndërsa, ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se takimi i sotëm ishte në kuadër të obligimeve që dalin nga MSA-ja. Ajo ka thënë se demarkacioni mbetet kusht për integrimin evropian.

“Demarkacioni me Malin e Zi mbetet obligim i yni që duhet ta përmbushim. Integrimi evropian është një ambicie për të cilën ne jemi pajtuar. Demarkacioni mbetet kusht për integrim”, ka thënë ministrja  Ahmetaj.

Hoxha: MD e përkushtuar në sundimin e ligjit

Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, vuri theksin në angazhimin e saj dhe të MD-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mbështetjen e sundimit të ligjit, funksionimin e gjyqësorit dhe vënien e drejtësisë për rastet e krimeve të luftës.

“Obligimet që rrjedhin nga procesi i MSA-së sa i përket MD-së janë koncept dokumenti për suspendimin e zyrtarëve të lartë “të cilin ne kemi premtuar se do ta përmbushim brenda gjashtë mujorit të parë”.

“Gjithashtu Ligji për Konfliktin e Interesit tanimë ka kaluar leximin e parë në Kuvend dhe presim edhe miratimin e këtij ligji edhe në leximin e dytë dhe çështje të tjera siç janë edhe fuqizimi i Ligjit për Luftimin e Korrupsionit, reformimin e Kodit Penal, procedurës penale dhe të gjitha këto obligime ne jemi duke i përmbushur sipas obligimeve që kemi”, tha Hoxha.

Bajrami: Zbatuam 85% të masave legjislative

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka thënë së kjo ministri gjatë vitit të kaluar ka arritur t’i kryejë të gjitha obligimet që dalin nga MSA-ja.

“Ne kemi arritur që gjatë vitit t’i integrojmë shumë mirë në planin e punës të gjitha obligimet që dalin nga MSA-ja dhe kemi arritur që të zbatojmë 85 për qind të masave legjislative dhe 75 për qind të masave ekonomike. Besojmë që me angazhimin që do e bëjmë që në vitin 2017 këtë përqindje ta rrisim edhe më tutje”, tha ajo.

Të ngjashme