KDI adreson 4 çështjet kryesore të theksuara në Raportin e Progresit

Prishtinë | 11 Nën 2016 | 13:53 | Nga

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në përputhje me misionin e saj, adreson katër çështjet kryesore të theksuara në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, të cilat ndërlidhen me punën e përditshme të KDI-së.

KDI vlerëson se nga analizimi i këtij raporti del se në shumicën e indikatorëve për matje të progresit të arritur, Kosova është “në fazë të hershme”, ashtu sikurse pozicionohej edhe në raportin e vitit që shkoi.
Si rrjedhojë, Kosova nuk ka shënuar progres substancial as gjatë kësaj periudhe raportuese.

KDI ka adresuar disa rekomandime për adresimin e sfidave të pasqyruara në këtë raport për katër sektor të rëndësishëm:

KDI vlerëson se integriteti i partive, më saktësisht financimi dhe raportimi financiar mbeten problematike dhe vlerëson se duhet të zhvillohet mbikëqyrje më e fuqishme dhe më e koordinuar e partive politike dhe financave të tyre. Një rekomandim të tillë KDI e ka bërë edhe të enjten në publikimin e ri të Transparency International në Bruksel, gjë që kërkohet edhe nga raporti i KE-së.

KDI ka rekomanduar të shmanget mbivendosja institucionale në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit, e cila shkakton huti te qytetarët.

Sipas KDI, nga aspekti ligjor, mungesa e ligjit adekuat për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, edhe këtë vit është ripërsëritur dhe ka arritur pozitën e parë në renditjen e prioriteteve për Kosovën.
Në sferën e prokurimit publik prapë sfidë mbetet transparenca e kontratave publike si dhe vonesat në zbatim të prokurimit elektronik.

Sa i përket punës së Kuvendit të Kosovës, KDI i rekomandon Kuvendit për ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për të garantuar ushtrimin e rolit të vet mbikëqyrës ndaj Agjensive të pavarura, duke funksionalizuar mekanizmat mbikëqyrës dhe raportues. Po ashtu konsideron se Kuvendi duhet të bëj plotësim-ndryshimin e Rregullores së Punës ku do të parashiheshin afate të qarta për rregullimin e procedurave të përshpejtuara për miratimin e ligjeve si dhe të garantohet pjesëmarrja e qytetarëve në procesin ligjbërës përmes organizimit më të madh të dëgjimeve publike.

Lidhur me reformën zgjedhore, KDI fton institucionet e Republikës së Kosovës të shfrytëzojnë ekspertizën e ofruar nga Komisioni i Venecias në këtë aspekt, si dhe të garantohet pjesëmarrja e partive opozitare gjatë punimeve për reformë zgjedhore.

Ndërsa, sa i përket procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, KDI kërkon nga Qeveria të jetë më transparente në procesin e zbatimit të marrëveshjeve dhe të garantojë gjithëpërfshirje në këtë proces. KDI i rekomandon Kuvendit të jetë më i angazhuar në ushtrimin e rolit të tij monitorues ndaj Qeverisë dhe të ofroj kontributin e tij në këtë proces. KDI gjithashtu kërkon nga institucionet e vendit, përkatësisht nga Qeveria dhe Kuvendi që të artikulojnë qartë efektet e pritshme të marrëveshjeve të arritura në jetën e qytetarëve dhe të garantojnë pjesëmarrjen e qytetarëve në këtë proces.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme