KDI: Partitë politike të tregohen konstruktive në konstituimin sa më të shpejtë të Kuvendit

Prishtinë | 15 Gus 2017 | 15:45 | Nga

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është duke përcjell me vëmendje zhvillimet karshi konstitutimit të Legjislaturës së VI-të të Kuvendit, që edhe kësaj radhe po zvarritet si proces. Deputetët e zgjedhur kanë për detyrë dhe obligim kushtetues që të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve në institucionet shtetërore, e që si parakusht kanë krijimin e këtyre institucioneve.

Mospjesëmarrja e deputetëve në seancën konstituive është ikje nga përfaqësimi i qytetarëve, prandaj i ftojmë të gjithë deputetët që të marrin pjesë në seancë dhe të tregohen konstruktiv në raport me përgjegjësit që kanë. Ndërsa, kur të thirren takimet konsultative, të respektohen ato për t’i dhënë mundësi dialogut ndërpartiak.

Po ashtu i ftojmë partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, që të lëvizin nga pozicionet e tyre të ngurta dhe të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe më pastaj formimit të Qeverisë.

KDI gjithashtu iu bënë thirrje të zgjedhurve të qytetarëve që të respektojnë institucionin e Kuvendit dhe mandatin e deputetit, të mos përdorin gjuhë denigruese dhe akuza të ndërsjella që dëmtojnë imazhin e institucionit të Kuvendit.

Reforma zgjedhore duhet të jetë prioritet i partive politike me formimin e institucioneve të reja, me qëllim që të evitojnë ngecjet në formimin e institucioneve të vendit. Normat ligjore nuk guxojnë të interpretohen në varësi të pozitës momentale të partisë politike, por që duhet të gjejnë zbatim pavarësisht kësaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme