KDI për sesionin pranveror të Kuvendit: I paorganizuar dhe me mungesë të kuorumit

Prishtinë | 02 Gus 2018 | 12:43 | Nga Tirana Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur konferencë për media, në të cilën janë paraqitur të gjeturat nga monitorimi i punës së Kuvendit t Kosovës, gjatë sesionit pranveror 2018.

Sipas raportit të KDI-së, gjatë periudhës janar – korrik janë mbajtur 27 seanca, 20 prej të cilave kanë vazhduar punimet në ditë të tjera, për shkak të numrit të madh të pikave të rendit të ditës dhe mungesës së kuorumit.

Artan Murati, nga KDI, tha se Kuvendi nuk ka qenë efikas në organizimin dhe menaxhimin e punimeve të tij.

Karakteristikë e këtij sesioni të punës së Kuvendit, sipas KDI-së, është mungesa e theksuar e pjesëmarrjes në votim nga deputetët.

“Të gjeturat kanë qenë funksionimi i paorganizuar dhe mungesat e shumta të kuorumit. Në seanca plenare nuk kanë arritur të përfundohen dhe janë grumbulluar një numër i madh i pikave te rendit të ditës”.

“Janë 20 nga gjithsej  27 seancat e mbajtura gjatë periudhës janar – korrik që kanë vazhduar punimet në ditë të tjera, për shkak të numrit të madh të pikave të rendit të ditës dhe mungesës së kuorumit. Dhe një seancë ka vazhduar deri në tre muaj”.

“Karakteristikë e këtij sesioni të punës së Kuvendit është mungesa e theksuar e pjesëmarrjes në votim nga deputetët, mungesa e korumit në dy raste dhe mungesa e deputetëve. Kjo ka prodhuar ngecje në funksionin ligjvënës të Kuvendit duke limituar në masë të madhe numrin e projektligjeve të miratuara, përfshirë këtu edhe dështimin e ratifikimit të disa marrëveshje ndërkombëtare me rëndësi të veçantë për qytetarët e vendit.”

KDi ka theksuar se përmbushja e agjendës legjislative për 2018 deri tani është 22%.

Deputetët kanë munguar edhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare.

KDI u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike parlamentare që të trajtojnë dhe rregullojnë këtë çështje përmes Rregullorës së Punës së Kuvendit, dhe deputetët që mungojnë në seanca, e sidomos në votim, të penalizohen. Mospjesëmarrja në seanca dhe në votim është shmangie nga përgjegjësia dhe përfaqësimi i qytetarëve. Për deputetët që nuk marrin pjesë në votim duhet të parashihen ndëshkime, jo vetëm me votë por edhe financiare.

Sipas analizës, janë mbajtur 12 interpelanca dhe grupi parlamentar me më  shumë interpelanca ka qenë LDK me 7 interpelanca ku 3 janë inicuar bashkë me VV dhe VV 7 interpelanca dhe 1 interpelancë nga PSD. 10 interpelanca të thirrura kanë qenë për Ramush Haradinaj, 1 për ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, dhe një për ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismajli.

“Interpelanca jo çdo herë janë realizuar kur ato janë thirrur. Gjatë këtij sesioni kabineti qeveritar e ka neglizhuar Kuvendin e Kosovës , komisionet parlamentare kanë ftuar për raportim 38 herë ministrat e kabinetit qeveritar. Nga komisionet që kanë pasur më së shumti raportime të ministrave janë: Komisioni për Integrime Evropiane – 7 herë raportime, Komisioni per të Drejtat e Njeriut – 7 raportime, Komisioni për Arsim – 6 raportime, Komisioni për Punë të Jashtme – 4 raportime, Komisioni për Shëndetësi  – 4 raportime”.

Kuvendi në numra:

Janë mbajtur gjithsej 27 seanca: 16 plenare, 8 të jashtëzakonshme dhe 3 solemne;

Nga 244 pika të rendit të ditës, 42% kanë qenë projektligje, kurse 52% çështje tjera, si p.sh. interpelanca, debate parlamentare, shqyrtim te raporteve të agjencive të pavarura, përzgjedhje te anëtarëve të agjencive të pavarura;

Janë realizuar gjithsej 260 mbledhje të komisioneve parlamentare. Komisionet më aktive ishin Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Komisioni për Arsim dhe Komisioni për Legjislacion. Dy komisionet me më së paku mbledhje ishin Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisioni për Integrime Evropiane.

Janë realizuar gjithsej 18 dëgjime publike;

Agjenda legjislative: 33 ligje të miratuara, 55 në procedurë, 59 në pritje;

Komisioni për Legjislacion ka qenë komisioni më aktiv në trajtimin e ligjeve, gjithsej 18;

Janë monitoruar dy ligje, njëri ende nuk është votuar në seancë. 17 të tjera në proces;

Ministrat kanë raportuar 38 herë para komisioneve parlamentare. Komisioni për Integrime Evropiane dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut kanë pasur më së shumti raportime (7), ndjekur nga Komisioni për Arsim (6);

Janë parashtruar gjithsej 237 pyetje parlamentare, më së shumti nga VV (79), LDK (64), PDK (34), PSD (31), AAK (14), Nisma (13), LS (1), 6+(1) dhe Slobodan Petrovic (1);

61 deputet nuk kanë parashtruar asnjë pyetje parlamentare;

Janë realizuar 12 interpelanca dhe 15 debate parlamentare;

Gjithsej 660 mungesa të realizuara deri në fund të muajit Qershor. LDK 159 mungesa; PSD 103 mungesa; LS 99 mungesa; PDK 79 mungesa; AAK 64 mungesa; LVV 62 mungesa; NISMA 44 mungesa; 6+ 26 mungesa; Pa Grup 24 mungesa;

Mesatarisht mungesa për deputet: LS 9.9; PSD 8.5; LDK 5.8; NPK 5.5; AAK 5.3; 6+ 4.3; PDK 3.4; VV 3.2.

Të ngjashme