Kelmendi: Shkelësit më të mëdhenj të Kushtetutës, Thaçi e Mustafa

Prishtinë | 15 Qer 2017 | 17:11 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë Isa Mustafa janë shkelësit më të mëdhenj të Kushtetutës së vendit për nëntë vjet kur edhe ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.

Njohësi i kushtetutës, Muhamet Kelmendi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Thaçi dhe Mustaf ka kanë bërë shkelje në shumë marrëveshje, duke përmendur vendosjen e shtetit të Kosovës në fusnotë, marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, demarkacionin, e çështje të tjera.

“Shkeljet më të mëdha janë disa prej tyre: së pari kemi shkeljen më të madhe që është bërë me marrëveshjen me Qeverinë e Serbisë në drejtim të amnistimit të kriminelëve, rojat e urave që i kemi quajtur ne më herët; Shkelja e dyta është futja e shtetit të Kosovës në thonjëza, çfarë logjike është ajo që pas shpalljes së pavarësisë, pas nxjerrjes së kushtetutës shkon presidenti ose kryeministri i atëhershëm dhe e futë shtetin në thonjëza, një shkelje të cilën nuk ta toleron askush në botë; Shkelje tjetër është organizimi i komunave me shumicë serbe, ku nuk kemi asgjë të shtetit të Kosovës; Shkelje tjetër shumë e rëndë është marrëveshja e 2013-ës, sa i përket nënshkrimit që e ka dhënë zotëri Thaçi në atë kohë si kryeministër i Kosovës për Asociacionin e Komunave serbe, ku e krijon një subjekt të ndërmjetëm midis pushtetit lokal dhe atij qendror. Kjo është çështja më e rëndë që iu ka bërë Kosovës dhe ka krijuar probleme jashtëzakonisht më të mëdha në vazhdimësi, çështje tjetër e shkeljes shumë të madhe është çështja e demarkacionit me Malin e Zi”, ka thënë ai.

Për dekanin e Fakultetit Juridik në Kolegjin AAB, Muhamet Kelmendi shkelje e kushtetutës është mënyra e zgjedhjes së presidentit Hashim Thaçi.

“Shkelje tjetër është edhe mënyra se si është zgjedh presidenti aktual pavarësisht që ka marrë vota, pavarësisht që Gjykatat Kushtetuese e ka thënë që kjo punë është kryer në rregull. Pse e them këtë, sepse ndarja dhe përçarja që është bërë brenda Kuvendit të Kosovës, konflikteve shumë të ashpra, si president e ka pas për detyrë me thirr, me krijuar unitet, me ruajt unifikimin e partive politike, me ruajt unitetin e popullit, me ruajt paqen dhe qetësinë dhe ka qenë pikërisht mekanizmi kryesor i konflikteve”, thotë Kelmendi.

Profesori Kelmendi po ashtu ka thënë se janë dy drejtime në të cilat duhet të ndryshohet kushtetuta e vendit.

“Së pari duhet të lirohet nga të gjitha normat që nuk janë pjesë kushtetuese, nga normat mbi fushën e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, nga normat në fushën ekonomike, mbi ato sociale, mbi çështjet e shkollimit që duhet dhe janë pjesë të ligjeve të veçanta. Në normë kushtetuese thuhet se barazia garantohet me kushtetutë në fushën sociale, çështjet rregullohen me ligjin e veçantë, liritë dhe të drejtat e njeriut garantohen me kushtetutë, por çështjet rregullohen me çështje të veçanta, pastaj është një numër i madh i normave në përfundime kushtetuese, ku i jepet faktorit ndërkombëtar kompetenca mbi të gjitha organet tona të brendshme”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kushtetuta e vendit më shumë i ngjan një ligji se një kushtetute të mirëfilltë.

Të ngjashme