Koalicioni PAN nuk pret vështirësi në ndarjen e pozitave qeverisëse

Prishtinë | 21 Qer 2017 | 13:26 | Nga

Kanë kaluar 10 ditë që prej zgjedhjeve të 11 qershorit, por ende nuk është marrë ndonjë hap më tutje për formimin e Qeverisë.

E, gjitha kjo për shkak të vonesave nga ana e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për certifikimin e rezultateve.

Koalicioni fitues PAN, ndonëse ka siguruar më së shumti vota në këto zgjedhje, prapë do t’i duhet marrëveshje me ndonjërën prej partive të vendit për të formuar institucionet.

Këto marrëveshje mund të jenë të dëmshme më vonë për ndarjen e pozitave qeverisëse, ku mund të ketë mospajtime nga partnerët e koalicionit.

Por, siç duket PAN brengë të vetme e ka formimin e Qeverisë e jo ndarjen e posteve. Sipas partnerëve të koalicionit PAN, thuhet se brenga më e vogël për ta momentalisht janë pozitat institucionale.

Kështu së paku është shprehur nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Në një prononcim për Indeksonline, Krasniqi tha se brenga kryesore e koalicionit PAN është formimi i Qeverisë e jo ndarja e pozitave. Sipas tij, as nuk kanë pasur ndonjë diskutim me partnerët e koalicionit, lidhur me këtë temë.

“Ende nuk kem filluar takimet apo bisedimet për ndarjen e pozitave të Qeverisë. Për ne brenga kryesore është formimi i qeverisë e jo ndarja e pozitave. Besojmë se nuk do kemi probleme apo mospajtime sepse për asnjërin partner të koalicionit nuk është me rëndësi pozita”, tha Krasniqi.

I këtij mendimi është edhe Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Edhe Isufi u shpreh se të vetmen brengë momentalisht koalicioni PAN e ka formimin e Qeverisë e jo ndarjen e pozitave. Por, sipas tij, nuk do të ketë asnjë zhvillim në këtë aspekt pa dalë rezultatet nga KQZ-ja.

“Ne jemi duke pritur certifikimin e rezultateve nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor, pas këtij procesi do të fillojmë bisedimet edhe për çështjet tjera. Ndarja e pozitave është çështje e partneritetit dhe nuk besoj se do të kemi problem por pa dalë rezultatet nga KQZ nuk do të ketë asnjë zhvillim në këtë aspekt. Sa i përket partneritet nuk do të ketë asnjë problem. E vetmja temë e rëndësishme për koalicionin PAN momentalisht është dalja zyrtare e rezultateve nga KQZ”, u shpreh Isufi.

PAN si koalicion fitues i këtyre zgjedhjeve ka arritur të sigurojë 39 deputetë, ndaj domosdoshmërisht për formimin e Qeverisë do të ju duhet edhe një parti tjetër, ose deputetë nga partitë tjera në mënyrë që së bashku me pakicat të sigurojnë 61 vota për formimin e qeverisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme