Koalicioni PDK-LDK para goditjes së madhe

Prishtinë | 13 Gus 2016 | 09:23 | Nga

Pritja e seancës së një shtatorit, kur deputetët do të duhej të votonin për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi është e frikshme për nënshkruesit e saj, kryeministrin Isa Mustafa dhe ishministrin e Jashtëm, tash president, Hashim Thaçi.

Jo vetëm opozitarët, por edhe disa deputetë shumë të fuqishëm brenda subjekteve politike të koalicionit qeverisës kanë filluar të tregohen të padëgjueshëm ndaj shefave të tyre, në presionin që po u bëhet për ta votuar Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkim të kufirit me Malin e Zi, marrëveshje në dëm të territorit të Republikës së Kosovës.

Analistët politikë dhe përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare theksojnë se tani kjo betejë brenda partive të koalicionit po bëhet, ngase është më se e sigurt që PDK-ja dhe LDK-ja në zgjedhjet e ardhshme, qofshin të rregullta apo jashtëzakonshme, do të mund ta paguajnë koston e marrëveshjeve të dëmshme, e kundër interesave të vendit, atë të Demarkacionit me Malin e Zi dhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, të cilat komuna de facto do të bëheshin e do të udhëhiqeshin nga Serbia, kundërshtare e pavarësisë.

Sipas opinioneve të shprehura lidhur me këtë situatë, dyshohet se është pikërisht frika nga ndëshkimi i madh që mund të marrin këto parti politike në koalicion nga votuesit e vendit ajo që po i shtyn qeveritarët të kërkojnë edhe konsensusin e opozitës për miratimin e këtyre dy marrëveshjeve kundër interesave të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të shpërndahet përgjegjësia.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu thotë se ndëshkimin për zbatimin eventual të këtyre dy marrëveshjeve e sheh punë të kryer, nëse forcat kundërshtare brenda këtyre dy partive politike nuk arrijnë që të bëjnë kthesa për t’i dështuar të dyja këto marrëveshje.

“Po, sigurisht. Besoj se kjo do të reflektohet edhe te deputetët veç e veç. Demarkacioni, pavarësisht nëse kalon apo jo, deputetëve që do ta votojnë do t’u ngelet përjetësisht me epitetin e tradhtarit.

Brezat që do të vijnë do të jenë më të ditur në përgjithësi dhe më patriotë po ashtu. Ata që po mendojnë ta votojnë ratifikimin, në radhë të parë po mendojnë për karrierën e tyre politike e jo për Kosovën, por ironia qëndron në atë se me këtë ata pikërisht po e fundosin karrierën e tyre politike”, tha Spahiu për “Kosova Sot”.

Një pritje të ngjashme e ka edhe eksperti i fushës së legjislacionit Muhamet Kelmendi, ndonëse, sipas tij, për këtë vendosin një numër i madh i faktorëve të ndryshëm që ndikojnë në këtë proces.

“Çështja e zgjedhjeve të ardhshme dhe të asaj se si do të dalin subjektet në pozitë dhe në opozitë ka të bëjë me shumë faktorë, të cilët me siguri do të ndikojnë në rezultatet e zgjedhjeve.

Natyrisht se do të duhej të kishim një dënim të rëndë të PDKsë dhe të LDK-së në zgjedhjet e ardhshme, qoftë të jashtëzakonshme, qoftë të rregullta, nëse do të merreshin për bazë marrëveshjet e dëmshme, siç është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, që në fakt është një bazë e ndarjes së Kosovës dhe të marrëveshjes së Demarkacionit, ku pa të drejtë iu dhanë Malit të Zi mbi 8 mijë hektarë tokë.

Me këto dy vepra penale të kryera nga pushtetarët e PDK-së dhe të LDK-së dënimi do të ishte me daljen e tyre në opozitë dhe natyrisht se prokuroria do të duhej të merrej me hetimin e këtyre dy rasteve dhe të hapi procedurë penale, duke i akuzuar në bazë të nenit 123 të Kodit Penal të Kosovës”, tha Prof. Kelmendi.

 

Të ngjashme