Kocijançiç: Normalizimi Kosovë – Serbi me marrëveshje detyruese

Prishtinë | 02 Tet 2017 | 14:06 | Nga

Zëdhënësja e Komisionit Europian Maja Kocijançiç ka thënë se në fund të bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, Beogradi dhe Prishtina duhet t’i normalizojnë në tërësi marrëdhëniet dypalëshe. Ky normalizim duhet të përshkruhet me një marrëveshje detyruese ndërmjet dy vendeve

Kocijançiç në një bisedë për portalin serb „alo!” ka thënë se “në kornizën tonë negociuese nuk përmendet njohja e pavarësisë së Kosovës”.

Ajo ka shtuar se BE përkrah përpjekjet e Serbisë e Kosovës në kuadër të dialogut i cili është vendimtar për ruajtjen e paqes e të stabilitetit në rajon dhe në Europë.

Sipas saj, fjala është për perspektivën europiane të të dy palëve, Beogradit e Prishtinës, ndërsa përparimi në dialog është i lidhur ngushtë me aftësinë e të dy palëve për të përparuar në rrugët e veta evropiane duke evituar bllokimin e njëra – tjetrës në këtë rrugë, transmeton, Koha.net.

Kocijançiç ka thënë se procesi i normalizimit do të duhej që shkallë-shkallë të sillte normalizimin e tërësishëm ndërmjet Serbisë e Kosovës.

Kjo, sipas saj, ka qenë e qartë që nga fillimi dhe është pranuar në Beograd e në Prishtinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme