Kolegët e zhgënjejnë Dhurata Hoxhën

Prishtinë | 23 Maj 2018 | 15:03 | Nga

Ministria e Financave e drejtuar nga Bedri Hamza dhe ajo e Tregtisë dhe Industrisë nga Bajram Hasani, kanë heshtur lidhur me obligimet që kanë për të kryer gjatë muajit maj, e që dalin nga reforma e agjendës evropiane.

Kryerjen e këtyre obligime që dalin nga kjo agjendë e ka kërkuar nga homologët e saj edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Ajo në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 11 maj ka listuar obligimet që kanë për t’i kryer Ministria e Financave, Tregtisë dhe e Mjedisit, e vetmja kjo e cila thotë se është në përmbushje të obligimit të saj.

Hoxha ka përmendur se ministria e Financave, duhet të përfundojë kompletimin e strukturës koordinuese për Aktin e Biznesit të Vogël, dhe  të miratohet në Qeveri Plani i Veprimit për zbatimin e Strategjisë për Luftimin e Ekonomisë Joformale, Të përfundohet vlerësimi i rrezikut për sektorin e OJQ-ve.

Por, kjo ministri nuk ka treguar se në do të jetë në gjendje t’i përfundojë këto obligime, edhe pse pyetjet në imell nga lajmi.net, i janë dërguar nga e marta e kaluar.

Obligime nga agjenda evropiane për të kryer brena këtij muaji ka edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Ajo obligohet  të përfundojë miratimin e  strukturës organizative të KIESA-s dhe themelimi i Bordit të saj, Ratifikimi i Traktatit të Komunitetit të Transportit.

Edhe  kjo ministri ka zgjedhur ‘heshtjen’, në pyetjen nëse  është duke punuar MTI në këtë drejtim, dhe se a do të përfundojë këto dy obligime brenda këtij muaji?

E vetmja ministri e cila është në përfundim të kryerjes së obligimit është ajo e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e drejtuar nga Albena Reshitaj.

Kjo ministri obligohet për gjetjen e lokacionit të përshtatshëm për ndërtimin e objektit për deponimin e mbeturinave të rrezikshme, financuar nga fondet e IPA 2015.

Zyrtarë të kësaj ministrie kanë thënë për lajmi.net, se kanë zhvilluar aktivitete për gjetjen e lokacionit të përshtatshëm, dhe se janë duke pyetur një përgjigje nga Agjencioni i Pylltarisë së Kosovës.

“MMPH, përmes një grupi punues/ komisioni ka zhvilluar aktivitete për gjetjen  dhe përcaktimin e një lokacioni për magazinimin e mbeturinave te rrezikshme  dhe aktualisht jemi duke pritur një përgjigje  nga Agjencioni i Pylltarisë së Kosovës lidhur me lokacionin e synuar”, ka thënë për lajmi.net Enver Tahiri, Udhëheqës i Divizionit për Mbeturina dhe Kimikate në MMPH.

Ai ka thënë se presin që shumë shpejtë të marrin një përgjigje nga Agjencioni i Pylltarisë së Kosovës, dhe më pas kërkesën do ta procedojnë edhe në Qeveri.

Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur më 11 maj, ministrja Dhurata Hoxha kishte kërkuar nga kabineti qeveritar,  zbatimin e prioriteteve të agjendës Evropiane.

Ajo kishte  kërkuar që deri në fund të muajit maj t’i kryejnë detyrat dhe obligimet që dalin nga prioritetet e Agjendës për Reforma Evropiane.

Edhe kryeministri Haradinaj  në atë mbledhje u kishte  bërë thirrje kabinetit qeveritar që të ketë përkushtim maksimal dhe te secili ministër t’i kryejnë obligimet dhe t’i trajtojnë me seriozitet obligimet që kanë në resorët e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme