Komisioni për Legjislacion dërgon në kryesi rekomandimet për agjensionet e pavarura

Prishtinë | 12 Dhj 2017 | 15:17 | Nga

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka mbajtur mbledhjen e radhës.

Në këtë komision ndër të tjera u kërkua edhe rritja e kapaciteteve të këshillit prokurorial, të agjensionit kundër korrupsionit dhe agjensioneve të tjera të pavarura.

Rekomandimet për rritjen e këtyre kapaciteteve u propozua që të përgatiten në formë të amadamenteve dhe si të tilla të dërgohen në kuvend për diskutim dhe miratim.

Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu tha se do të ishte mirë të bëhet gjithashtu një harmonizim i pagave të agjensioneve të pavarura.

“Vërejtja ime është si të bëjmë harmonizimin e pagave të agjensioneve të pavarura. Propozimi im është që të bëjmë por shembull një pagë për KQZ por të largojmë shtesat shumë të larta sipas informacioneve që kam ato arrijnë deri në 2000 euro”

Ndërsa Arben Gashi tha se është problematike që si komision të mundohen të bëjnë këtë rregullim. Sipas tij ky harmonizim duhet të bëhet përmes një ligji.

“Sa i përket nivelit të pagave të zyrtarëve në KQZ. Mendoj se është problematike që na në komision me kqyr sa e kanë pagën se është ligji për pagat. Më mirë është që të interesohemi kur te vjen ligji për pagat në sektorin publik edhe me rregullu këtë problem. Mendoj se të pagat na nuk mundemi me prek ligjin për buxhetin pasi ky problem përsëritet cdo ditë. Më mirë është me rregulluar me një ligj që e nivelizon këtë”, tha Gashi.

Bilall Sherifi tha se nuk është mirë që të gjitha të bëhen si amendamente por të zgjedhen një ose dy, sepse sipas tij është duke u larguar përgjegjësia nga komisioni.

“Këto kërkesa të të gjitha institucioneve i kemi pas këtu dhe ne si grup parlamentar i kemi shqyrtuar. Besoj që me i bërë rekomandimet është më e lehtë. Mendoj që të zgjedhim që një a dy me e bo amandamente edhe të paraqesim në seancë por jo krejt këto se do të shihet sikur po hiqet nga vetja”.

Komisioni për legjislacion ka shqyrtuar në parim projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Kryetarja e komisionit Albulena Haxhiu tha se është e shqetësuar që ky projektligj nuk parasheh që një zyrtarë të ketë më shumë se një vend pune.

Ndërsa Glauk Konjufca tha se fusha e konfliktit të interesit është mjaft kritike. Ai pyeti se çfarë kuptimi ka të bëhen ligjet kur nuk zbatohen kurrë.

“Na kem vendime të plotfuqishme të njerëzve që kanë marr vendime duke qenë në konflikt interesi. Edhe zyrtarët më të lartë nuk e marrin seriozisht konfliktin e interesit. Ne kemi pas dje rastin e gjykatëses kushtetuese e cila nuk e merr në seriozitet konfliktin e interesit dhe pasi u kry një fazë kur tregon se është punësuar një kushëri i saj dhe më problematikja është se ajo i ka bërë pyetjet që i është përgjigjur kushëriri i saj”.

Edhe Korab Sejdiu tha se problem mbetet hartimi i mekanizmave për zbatimin e rregullave të konfliktit të interesit.

“Janë dy probleme sa jemi na në gjendje me krijuar na mekanizma që rregullat e konfliktit të interesit me u zbatu. Ne si komision por edhe ai kuvend duhet me u siguruar se a po parashohim mënyra që këta njerëz me i zbatuar këto rregulla apo po i bëjmë sa për sy e faqe dhe e dyta a po e tej rregullojmë këtë punë. Të kem parasysh këtë balancë po e primare duhet me qenë pjesa e zbatimit”.

Të ngjashme