Komisioni propozon që Projektligji për pasurinë e pajustifikueshme të mos votohet nga Kuvendi

Prishtinë | 21 Qer 2018 | 13:39 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas diskutimit më shumë se një orësh, Komisioni parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka dërguar në Kuvend propozimin që Projektligji për pasurinë e pajustifikueshme të mos votohet.

I gjithë diskutimi filloi lidhur me atë nëse duhet të trajtohet ky projektligj apo të pritet që Ligji për Zgjerimin e Kompetencave për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar në Vepër Penale të vijë për shqyrtim në Kuvend, raporton Ekonomia Online.

Albulena Haxhiu, teksa prezantoi projektligjin, u pajtua se ai ka nevojë për përmirësime dhe për shtimin e amendamenteve.

Haxhiu tha se ky projektligj ka ardhur si nevojë pas, siç tha ajo, dështimit të ndjekjes në Kosovë.
“Objekti që trajtohet këtu është pasuria e pajustifikueshme e paligjshnme, por jo domosdoshmërisht përsonit të dënuar. Pra barra i bie të pandehurit, jo prokurorit”.

“Ky projektligj ka nevojë për amendamente që e fuqizojnë”.

Kundër këtij ligji ishte anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa. Ai e kritikoi formën dhe përmbajtjen e neneve, raporton EO.

“Unë në këtë fazë jam kundër këtij ligji dhe ideologjisë së këtij ligji. Për mendimin tim, disa nene janë në kundërshtim edhe me kushtetuesen edhe e përmbysin sistemin e drejtësisë. Ligji edhe nenet nuk thonë kurrgjë juridike”.

Edhe Arben Gashi, nga LDK , tha se ky projektligj përmbys sistemin e drejtësisë.

Gashi tha se me këtë projektligj i pandehuri do të konsiderohet fajtor, andaj bëri të ditur se derisa të vijë edhe projektligji i propozuar nga qeveria në Kuvend, do të abstenojë.

“Është njëri prej ligjeve i cili e përmbys sistemin e ndryshuar nga Perandoria Romake. Nëse prokurori të thotë që ti ke kry një vepër penale ose ke fitu pasuri të paligjshme ai duhet me vërtetu që e ke bo atë punë. Prokurori thotë se ti e ki pasurinë e paligjshme atë pasuri ndërsa ti duhesh me ia vërtetu”.

Ndërsa Korab Sejdiu përkahu këtë nismë të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai tha se Projektligji për pasurinë e pajustifikueshme dallon me atë të qeverisë, pasi nuk trajton personin por pasurinë.

“Po flasim për çështje të ndara, për Ligjin potencial që do të na vijë nga qeveria që ka të bëjë ekskluzivisht për një vepër penale dhe pasuria e tij është objekt i konfiskimit. Nuk është nevoja me u dëshmu një vepër penale, por ka të bëjë vetëm me pasuri që nuk ka bazë të pajustifikueshme”.

Anëtari i komisionit nga Nisma Social Demokrate, Bilall Sherifi, tha se ndonëse ky projektligj ka elemente të mira, është kundër tij pasi përmbys sistemin e drejtësisë.

“Në esencë jam kundër këtij ligji, sepse ndryshon filozofinë e drejtësisë mbi të cilën është e ndërtuar drejtësia në Kosovë. Ndryshon komplet qasjen e barrës së provës. Barra e provës nuk lihet asnjëherë tek i pandehuri. Ka elemente të mira që mund të përfshihen te Ligji për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale..”.

Punën komisioni e vazhdoi me Projektrregulloren e Kuvendit.

Për shkak se gjatë shqyrtimit të projektrregullores nga grupi punues janë ndryshuar vendimet e marra në komision, kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu,tha se nuk do të përkrahë disa nga amendamentet e ndryshuara, andaj nuk do të mbështesë votimin bllok të kësaj projektrregullore.

Haxhiu propozoi që votimi i amandamenteve të projektrregullores të bëhet veç e veç.

“Ne nuk përkrahim amendamente bllok, jemi për t’i shkuar secilit amendament vetëm e veç në të kundërtën nuk do ta mbështesim rregulloren as në këtë fazë, as në seancë”.

Me 7 vota për, Komisioni miratoi amendamentet e përkrahura nga grupi punues, ndërsa vazhdoi të votojë veç e veç amendamentet që nuk janë përkrahur nga grupi punues.

Të ngjashme