Kongresistët amerikanë: Amerika ju mbështet pa kushte

Prishtinë | 19 Shk 2017 | 10:30 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga nënkryetarët e Kuvendit, Xhavit Haliti, Sabri Hamiti, Fikrim Damka dhe Slobodan Petroviq, ka pritur sot në takim një delegacion të kongresmenëve amerikanë, të cilët po qëndrojnë për vizitë zyrtare në vendin tonë.

Kryetari Veseli falënderoi anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për interesimin e vazhdueshëm të tyre për zhvillimet në vend, si dhe për mbështetjen e madhe e të pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në kohë dhe rrethana të ndryshme.

Ai i njoftoi mysafirët nga Kongresi Amerikan për përparimet në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë. Veseli e konsideroi shumë të vyer për Kuvendin e Kosovës përkrahjen amerikane nëpërmjet programeve të ndryshme, në mbështetje të deputetëve dhe zyrtarëve të Administratës, të cilët kanë pasur mundësinë të mësojnë shumë nga përvojat e Kongresit.

Kreu i Kuvendit tha se Kosova ndihet krenare për marrëdhëniet e shkëlqyera me SHBA-të, të cilat, siç konfirmoi kryetari Veseli, do të mbesin të përjetshme.

“Pas vizitës disa ditore që kisha në Shtetet e Bashkuara ku mu konfirmua mbështetja e Administratës së re për Kosovën, kjo vizitë e kongresmenëve në përvjetorin e nëntë të pavarësisë është edhe një rikonfirmim i mbështetjes amerikane për Republikën e Kosovës”, theksoi  Veseli.

Ai falënderoi në mënyrë të veçantë drejtuesit e këtij delegacioni, Peter Roskam dhe David Price, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kuvendit të Kosovës nga Komisioni për Partneritet dhe Demokratizim të Kongresit Amerikan Kuvendit të Kosovës përmes NDI.

“Kosova po ecën me hapa të sigurt drejt integrimeve euro-atlantike dhe Kosova është faktor stabiliteti në rajon, falë punës dhe përkushtimit të institucioneve por edhe falë mbështetjes së përhershme të miqve tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Veseli.

Udhëheqësi e delegacionit amerikan, Peter Roskam, nga ana e tij, theksoi se vjen me admirim të madh për Kosovën, të cilën e kanë zgjedhur për ta vizituar si shtetin e parë pas tranzicionit në Shtëpinë e Bardhë, për tu njohur me rrugëtimin e saj, por edhe si miq, për të siguruar që kjo marrëdhënie është e fuqishme dhe mund të thellohet edhe më tej.

Ai tha se Kosova është në agjendën e SHBA-ve, ashtu siç ka qenë nga të gjitha administratat dhe asgjë nuk ka ndryshuar, në aspektin e mbështetjes.

“Ne përfaqësojmë Dhomën e Përfaqësuesve dhe kemi një marrëdhënie me Kuvendin e Kosovës. Mendojmë se një Kuvend i fuqishëm është një demokraci e fuqishme. Dëshirojmë që marrëdhëniet midis Kongresit Amerikan dhe Kuvendit të Kosovës të  jenë unike dhe specifike. Kosova është vendi ynë i parë, sepse ky vend është aq i rëndësishëm dhe e gjithë bota po shikon drejt Kosovës”, tha kongresmeni republikan Roskam.

Ndërsa kongresisti nga radhët e Partisë Demokratike, David Price, tha se SHBA-të kanë investuar në Kosovë dhe ky udhëtim në Kosovë tregon se pavarësisht ndërrimit të administratës, ajo ka mbështetje të pa rezervë nga Washingtoni.

Duke u përgjigjur në interesimin e kongresmenëve, nënkryetarët Xhavit Haliti, Sabri Hamiti dhe Sllobodan Petroviq, folën për raportet e brendshme, për raportet e Kuvendit me Qeverinë, për marrëdhëniet midis komuniteteve etj.

Të ngjashme