Konjufca: Zeka njeriu i fundit që mund të flasë për moral

Prishtinë | 07 Mar 2018 | 14:24 | Nga

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputetët Glauk Konjufca dhe Milaim Zeka kanë replikuar ashpër me njëri-tjetrin. Konjufca i është drejtuar Zekës se ai është personi i fundit që mund të diskutojë për moralin, “pasi që ai që ka promovuar një mashtrues të popullit siç është Ilir Krasniqi”.

“Meqë po na shet moral ky njeri,  i cili e ka keqpërdorur emisionin në RTK me promovu Ilir Krasniqin, i cili i ka mashtru qytetarët me mbi 200 mijë euro për viza pune në shtete të ndryshme. Ky është njeriu që kur ka uzurpu shtëpinë në Breg të  Diellit, kur një njeri i tillë shet moral publik nuk di çka të them”, tha Konjufca.

Debati ka filluar kur deputeti Zeka ka kritikuar Arbërie Nagavci, e cila ua uroi 7 Marsin mësuesve “të ndërgjegjshëm”. Zeka i tha se mësuesit nuk ndahen në të ndërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm.

Në këtë rast, ndërhyri deputeti Konjufca duke thënë se Zeka ka ardhur në Parlament me nota të ulëta.

“Ka disa mësues të pandërgjegjshëm siç është mësuesi i Milaim Zekës, i cili ia ka lënë dysh në vend se ta ngelë. Ai duke marr dysha ka ardhë në Parlamentin e Kosovës, edhe unë mendoj që ka mësues të pandërgjegjshëm”, tha Konjufca.

Në replikën e tij Zeka tha se Glauku po futet në rrafshin personal dhe se mbrapa tij gjindet një deputet i cili e ka pasur në klasë Zekën dhe se është në dijeni për suksesin e tij.

 

 

Të ngjashme