Konkurrencë e fortë në rundin e dytë, Peterle nuk pret zgjedhje të reja

Prishtinë | 21 Nën 2017 | 11:04 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, Alojz Peterle, gjatë një konference shtypi ka paraqitur të gjeturat preliminare të këtij misioni për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave në Kosovë të mbajtur me 19 nëntor.

Peterle tha së në bazë të të gjeturave të tyre zgjedhjet janë zhvilluare në atmosferë të qetë dhe njerëzit kanë pasur mundësi që të paraqesin mendimin e tyre me votë, raporton Ekonomia Online.

“Këto ishin zgjedhje me konkurrencë shumë të fortë”, tha Peterle, gjatë konferencës për shtyp sot në Prishtinë.

“Shumica e komunave të mëdha votuan në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, të cilat u mbajtën në 19 nga 38 komunat e Kosovës, përfshirë edhe në Prishtinë dhe Prizren. Në komunën e Parteshit zgjedhjet për kryetar komune u përsëritën në po të njëjtën ditë bazuar në vendimin e Gjykatës Supreme për anulimin e rundit të parë të zgjedhjeve”.

“Fushata u zhvillua në një atmosferë kryesisht të qetë. Garuesit ishin në gjendje të shprehnin mesazhet e tyre lirshëm dhe filluan fushatën menjëherë pas rundit të parë. Gjatë pesë ditëve të fushatës zyrtare, EU EOM vërejti në mënyrë pozitive një numër të madh debatesh të organizuara nga mediet elektronike”, tha Peterle.

EU EOM vërejti një tensionim në Gjakovë dhe Mitrovicën e Jugut. Atmosfera në komunitetet me shumicë serbe të Parteshit dhe Kllokotit ishte e polarizuar por nuk ndodhi ndonjë incident i madh. Përfaqësuesit e të dy kandidatëve për kryetar të Parteshit e akuzuan njëri tjetrin për akte të vazhdueshme të blerjes së votave dhe presionit mbi përkrahësit e tyre.

“Mediat audiovizuele gjatë fushatës zgjedhore pesëditore ofruan mbulim mjaft të balancuar në lajme dhe organizuan disa debate zgjedhore ndërmjet kandidatëve”.

“Në ditën e zgjedhjeve, EU EOM vizitoi 292 vendvotime. Hapja dhe votimi ishin kryesisht të qeta dhe u zhvilluan në mënyrë të rregullt. Numërimi kryesisht u zhvillua në mënyrë transparente dhe efikase. Megjithatë, disa aspekte të rëndësishme të procesit të votimit dhe numërimit duhet të adresohen në mënyrë që të përmirësohet edhe më tej procesi në ditën e zgjedhjeve”.

“Qasja në objektet e vendvotimeve për personat me aftësi të kufizuara u dëshmua të jetë e vështirë, ku pak më shumë se gjysma e vendvotimeve të vizituara ishin të qasshme për personat me mundësi të kufizuar të lëvizjes. Aranzhimi i vendvotimeve nuk ishte i përshtatshëm për këta personat në më shumë se një të pestën e vendvotimeve të vëzhguara”.

“Të kuptuarit e procedurave të votimit nga votuesit vazhdon të jetë një fushë që ka nevojë të përmirësohet shumë. Fshehtësia e votës u ndikua negativisht nga praktikat si votimi familjar dhe grupor”, tha Peterle gjatë konferencës së sotme për shtyp.

Peterle: Zgjedhjet e reja të panevojshme

Deputeti i Parlamentit Evropian, Alojz Peterle, komentoi edhe zërat se në Kosovë vitin tjetër mund të ketë zgjedhje nacionale. Kjo, sipas tij, është e panevojshme.

“Shpresoj që nuk do të më kërkohet që shpjet të vij të vëzhgoj zgjedhje në Kosovë. Mendoj se pas këtyre zgjedhjeve në vitin 2017, ka ardhur koha për veprim konkrete e jo për zgjedhje të reja”.

“Aktorët politikë mund të shohin siturat ndryshe. Kam dëgjuar fjalë se Kosova mund të ketë zgjedhje së shpejti. Por unë shpresoj që nuk do të kthehem për të vëzhguar zgjedhje. Edhe pse në janar jam këtu për të paraqitur raportin përfundimtar”.

Sa i përket kërkesës së LDK-së për rinumërimin e votave në Prishtinë, ai tha se misioni nuk ka mandat për marrje të vendimeve, porse janë këtu për të vëzhguar.

Sipas tij, pavarësisht dallimit në rezultat që kanë pasur subjekte, u mbetet autoriteteve që të vendosin se cilat argumente të marrin parasysh.

“Tensionet që i vërejtëm nuk na lejojnë që të spekulojmë për rezultatin e zgjedhjeve. Ne nuk i komentojmë në aspektin politik, por dua të them se i takon KQZ-së që të kualifikojë nëse parashtrohen ankesa. E dimë se cila është procedura”.

EU EOM shpërndau më shumë se 70 vëzhgues në tërë Kosovën në ditën e zgjedhjeve nga 25 shtete anëtare të BE-së si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra.

EU EOM do të mbetet në Kosovë për të përcjell procesin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe zgjidhjen e çdo parashtrese dhe ankese, deri në certifikimin e rezultateve përfundimtare, që pritet të bëhet në fillim të dhjetorit.

 

Të ngjashme