Kosova duhet ta bindë BE-në se ka instaluar drejtësi të pakompromis kundër korrupsionit

Prishtinë | 14 Kor 2018 | 08:06 | Nga

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të jenë të bindura se një dinamikë pozitive dhe e pakthyeshme është instaluar në Kosovë për të pasur një shtet funksional të së drejtës dhe një drejtësi të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kështu ka thënë ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, teksa ka komentuar pritjet rreth vlerësimit të Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të fundit për liberalizimin e vizave.

Në intervistën dhënë “Kohës Ditore”, me rastin e Ditës Kombëtare të Francës, Chabert ka theksuar se është e domosdoshme që të vazhdohet me shtyrjen përpara të rasteve në “Track record”. Ai, po ashtu, ka kërkuar të mos lirohen kriminelët e gjykuar dhe të dënuar nga EULEX-i, “por edhe të shtyhen përpara pa u zvarritur reformat e drejtësisë që synojnë ta bëjnë sistemin e drejtësisë më efikas, më transparent dhe më të pavarur nga pushteti politik”. Teksa ka folur për nivelin e lartë të korrupsionit, ambasadori francez ka përmendur pengesat në të cilat kanë hasur investitorët e huaj.

“….ne kemi pasur përvoja zhgënjyese të investitorëve të huaj, që janë përjashtuar nga tenderët që i kishin fituar”, ka thënë ambasadori francez.

Pengesa të tjera, sipas tij, janë ato që ndërlidhen me zgjidhjen e çështjes së falimentimit, dhënien e lejeve të ndërtimit dhe qasjen në energji elektrike.

Megjithatë, ai ka siguruar se shteti që përfaqëson do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në rrugën e saj evropiane, “ku Franca do të bëhet kontribuuesi i dytë neto pas Gjermanisë”.

Chabert ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se koha po mbaron dhe së është me rëndësi të shfrytëzohet momentumi. Sipas tij, pas pranverës së ardhshme, dritarja e mundësisë në BE ka të ngjarë të mbyllet për shkak të zgjedhjeve evropiane dhe periudhës që atëherë do të jetë e nevojshme për të formuar Komisionin e ri evropian.

Një marrëveshje përfundimtare në kuadër të dialogut duhet së pari të jetë ligjërisht e detyrueshme, ka thënë Chabert.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme