Kosova e Shqipëria me komitet të përbashkët parlamentar

Prishtinë | 07 Nën 2017 | 13:01 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi u prit në një takim të veçantë nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, së bashku me delegacionin që e shoqëronte në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, të përbërë nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se kryekuvendarët vunë në dukje faktin se vizita të këtij niveli janë padyshim një tregues i shkëlqyer i bashkëpunimit të ngushtë politik e vëllazëror mes dy vendeve, i cili shtrihet në të gjitha fushat dhe nivelet, si dhe shërben si një inkurajim në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

Gjatë bashkëbisedimit, Ruçi dhe Veseli ndanë mendime të përbashkëta lidhur me përforcimin e hapave në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit parlamentar, atij ekonomik, rrëzimit të barrierave tregtare, ndërlidhjes infrastrukturore, etj. Në funksion të kësaj, ishte dakordësimi i të dy kryetarëve për krijimin e një komiteti të përbashkët parlamentar, transmeton Koha.net.

Në përmbyllje të takimit, gjatë një komunikimi me mediat, Ruçi vuri në dukje prezencën në këtë vizitë të tre kryetarëve të grupeve parlamentare të spektrit politik shqiptar.

“Pavarësisht nga divergjenca që kemi në Tiranë dhe lufta politike që kemi bërë në Tiranë, kur vjen puna për Kosovën, të gjithë jemi në unison”, ka thënë Ruçi, ndërsa shton se, “jemi të një qëndrimi bashkë me kryetarin Veseli dhe me delegacionin. Momenti kur kemi ardhur përkon edhe me mesin e fushatës për zgjedhjet vendore dhe ne nuk kemi ardhur për fushatën që zhvillojnë partitë politike të Kosovës. Se për kë do të votojnë, për kë kandidat do të votojnë në raundin e dytë, këtë e di elektorati i Kosovës”.

Duke u ndalur në çështjet e diskutuara në takim, ai vuri në dukje se delegacionet ndanë mendimin që “zgjedhjet në raundin e parë vajtën jashtëzakonisht mirë, pa kontestime, pa ngjarje dhe të vlerësuara, të gjithëpranuara në spektrin politik kosovar dhe të vlerësuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë”.

“Kjo është një gjë shumë pozitive që edhe raundi i dytë të zhvillohet kështu, pasi kjo rrit kredencialet e Kosovës që në Kosovë funksionon demokracia, funksionojnë institucionet dhe se elektorati i Kosovës është një elektorat që di të zhvillojë zgjedhje të lira e demokratike”, theksoi Ruçi.

Në vijim, Kryetari i Kuvendit nënvizoi rëndësinë e vijimit të vizitave të nivelit të lartë, por edhe të hapave konkretë në vijim “për të zgjidhur edhe problemet e ndryshme që hasin qytetarët e Kosovës në marrëdhënie me Shqipërinë, apo qytetarët e Shqipërisë në raport me Kosovën”.

“Dakordësuam plotësisht që, për sa i përket anës parlamentare, ashtu sikurse ka një komitet të përbashkët parlamentar Shqipëria me Bashkimin Evropian, të dy parlamentet tona të krijojnë një komitet për të zgjidhur problemet legjislative, për të lehtësuar mjaft pengesa, siç janë çështjet e studentëve, qoftë të studentëve shqiptarë në Kosovë, qoftë të studentëve të Kosovës në universitetet shqiptare, me qëllim që, në harkun kohor brenda një viti, të gjitha problematikat e evidentuara deri më tani dhe pengesat e hasura të zgjidhen”, tha Veseli.

Gjithashtu, Ruçi vlerësoi për përpjekjet e dy qeverive tona që, ashtu sikurse në të kaluarën kanë zhvilluar mbledhje të përbashkëta.

“Edhe këtë muaj, në fund të muajit, në prag të Festave Kombëtare, më 27 nëntor, do të zhvillohet takimi i dy qeverive tona në Korçë, që për të parë zgjidhjet dhe ne t’u paraprijmë që të mos u krijojmë asnjë problem në funksion të zgjidhjes institucionale, për sa u përket legjislacionit”, u shpreh Ruçi.

Në komunikimin me mediat, ai shprehu inkurajimin për përpjekjet që bëhen në Kosovë për sa i përket çështjes së demarkacionit.

“Ne e dimë që është një problem i vështirë. Ka një debat mes forcave politike. I inkurajojmë ato të shohin përtej interesave thjesht partiake, të mos humbasin mbështetjen, veçanërisht të partnerëve tanë strategjikë si SHBA dhe BE, me qëllim që ky ngërç i këtij problemi të zgjidhet sa më shpejt, sepse kjo do të jetë pastaj edhe një gjë mjaft pozitive për të zgjidhur problemin e madh që ka Kosova lidhur me regjimin e vizave, pasi, për fat të keq, Kosova ka mbetur i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që, për qytetarët e saj nuk është bërë liberalizimi i vizave në BE”, tha Ruçi.

Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke uruar Ruçin për detyrën e re në krye të Kuvendit të Shqipërisë, e falënderoi atë për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Shqipërisë po i jep Republikës së Kosovës në politikë, diplomaci, kulturë, siguri, sport etj.

“Me Shqipërinë asgjë nuk na ndan, na bashkon gjithçka. Zëri i saj është dhe do të mbetet avokati dhe zëri me argumentues i kauzave tona politike në rajon dhe në sferën ndërkombëtare”, theksoi Veseli.

Kreu i Kuvendit të Kosovës u shpreh se përcaktimi shtetëror i Kosovës është integrimi në BE dhe në NATO, procese këto në të cilat, siç tha Veseli, përvoja e Shqipërisë është e domosdoshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme