Kosova ka nevojë për një rini inovatore, thotë Veseli në takim me të rinjtë e partisë

Prishtinë | 14 Qer 2018 | 18:44 | Nga

Instituti për Studime Politike i Partisë Demokratike të Kosovës, nën udhëheqjen e Arben Gecajt, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar debat me të rinjtë e PDK-së, me temën “Angazhim politik – vullnetar në moshën e re dhe ndikimi i vullnetarizmit në zhvillimin e personalitetit në raport me zhvillimet shoqërore – Cili do të jetë roli i të rinjve të PDK- së në Dekadën e Re?”

Në këtë takim me të rinjtë, mori pjesë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ministri i shëndetësisë Uran Ismaili si dhe Valdete Idrizi, këshilltare e kryetarit Veseli.

Sipas një njoftimi të PDK-së, Veseli theksoi se çmon lart rolin e të rinjve në proceset e tashme dhe të ardhshme për vendin, duke thënë se PDK-ja dhe Kosova kanë nevojë për një rini novatore dhe të ndërmarrësisë që janë të gatshëm të marrin përgjegjësi për vendin e tyre.

“Kosova ka nevojë për një rini inovatore dhe PDK-së do të jetë adresa e të rinjve në Dekadën e Re, të rinj që janë të gatshëm të jenë pjesë e përgjegjësisë dhe që përmes tyre ta integrojmë Kosovën”, ka thënë kryetari i PDK-së Kadri Veseli.

Duke ftuar rininë e PDK-së që të jenë aktiv në Dekadën e Re, kryetari Veseli theksoi se PDK ka qenë pjesë e ndryshimeve në vend duke marrë përgjegjësi për të gjitha proceset e vendit.

Kurse Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili u tha të rinjve se PDK është parti e vlerave, parti e zhvillimit, ndryshimit dhe projekteve të mëdha të interesit nacional, ku shquhet përkushtimi dhe gatishmëria për të kontribuar në çdo rrethanë për vendin.

Duke folur rreth rolit të vullnetarizmit, Z. Ismaili theksoi se PDK-ja është trashëgimtare e vlerave të vullnetarizmit.

“Vullnetarizmi ju ndihmon në aspiratat tuaja, zhvillon shkathtësitë sociale dhe do t’ju bëj ta doni më shumë vendin. Një grup i njerëzve gjithmonë e ka ndryshuar historinë dhe ju do të jeni pjesë e proceseve të reja e ndryshimeve të reja në Dekadën e Re, pjesë e nevojave për vendin”, theksoi Ismaili.

Rreth rolit të vullnetarizmit foli edhe Valdete Idrizi, e cila inkurajoi të rinjtë që të jenë pjesë aktive e proceseve dhe nevojave për vendin. Ajo tha se duke qenë aktiv, të rinjtë e PDK-së, njëherësh duhet të imponohen me punë me vlera dhe me rezultate.

Në diskutim morën pjesë të rinjtë të cilët vunë në spikamë qëndrimet e tyre për fenomenet të cilat i konsiderojnë prioritare por edhe me qëndrim kritik ndaj dukurive të cilat pengojnë afirmimin e vlerave të Rinisë Demokratike, në Dekadën e re.

Në fund të debatit, i treti me radhë në këtë format, u tha se debati tashmë ka filluar brenda Rinisë Demokratike, duke sjellë qëndrime, opinione por edhe përvoja se si të jepet kontribut maksimal, jo vetëm në Rininë Demokratike por edhe në shoqëri me vullnetarizmin dhe aktivizmin si fenomen pozitiv “pa çmim”, duke ia shtuar kështu vlerën Dekadës së Re.

Të ngjashme