Kosova përfiton 45.5 mln € nga marrëveshja financiare IPA 2016

Prishtinë | 07 Mar 2017 | 15:19 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit të Komisionit Evropian Genoveva Ruiz Calavera është takuar me ministren e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, me ç’rast ia ka dorëzuar  tekstin e marrëveshjes financiare të IPA 2016.

Nga kjo marrëveshje Kosova përfiton 45.5 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Ministrja Ahmetaj ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) në vazhdimësi e ka ndihmuar Kosovën.

“Bashkimi Evropian gjithmonë e ka ndihmuar Kosovën duke filluar që nga viti 2007 deri më 2013 në shumën prej 600 milionë euro si pjesë e instrumentit të para anëtarësimit , ndërsa për periudhën 2014-2020 asistenca financiare e IPA-s, arrin vlerën në 645 milionë euro. Të gjitha këto fonde ndihmojnë kryerjen e reformave që kanë për synim ta ndihmojnë Kosovën për të realizuar obligimet e saj në kuadër të procesit të integrimit evropian. Sot pranova marrëveshjen financiare IPA 2016 e cila në pako do të përfshin një shumë prej 45.5 milionë euro në formë të projekteve nga ana e Bashkimit Evropian të cilat do të ndihmojnë në realizimin e objektivave të parapara në kuadër të MSA-së, në fushat si konkurrueshmëria dhe përkrahja e bizneseve, arsimi dhe punësimi si dhe të drejtat e njeriut. Po ashtu do të përkrahen edhe implementimi i marrëveshjeve nga dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë dhe disa aspekte horizontale në procesin e integrimit evropian”, ka thënë ajo.

“Shuma e paraparë në konkurrueshmërinë nga BE-ja, do të jetë 10 milionë euro, ndërsa po ashtu do të kemi edhe një skemë të kreditit nga ana e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që do të përfshijë një shumë prej 20.5 milionë euro që do t’u jepet institucioneve financiare të Kosovës. Për arsimin, punësimin dhe politikat sociale do të jepen 17 milionë euro nga Bashkimi Evropian, ndërsa 2 milionë euro bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës dhe 400 mijë euro nga ndërmarrjet përfituese të këtyre granteve. Të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve do të përkrahen me 8 milionë euro dhe 2.75 milionë janë bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës, 3  milionë do të jepen për realizimin e objektivave Kosovë –Serbi dhe 75 milionë si përkrahje horizontale të procesit të integrimit evropian”, ka thënë Ministrja Ahmetaj.

Kurse, sa i përket liberalizimit të vizave ministrja Ahmetaj ka thënë se vizita e fundit e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka ofruar qartësi të plotë sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe përmbushjes së kritereve nga pala e Kosovës.

“ Mbetet vetëm çështja e demarkacionit e cila tanimë është në institucionet tona me të cilat jam mjaft optimiste se demarkacioni do të kalon dhe me këtë neve na hapet rruga në përmbushjen apo përfitimin nga liberalizimi i vizave”, ka pohuar ajo.

Kurse, Genoveva Ruiz Calavera për fillim e ka uruar ministren për pozitën e saj duke shtuar se ka marrë një rol kyç duke i ofruar përkrahje.

“Me dorëzimin e marrëveshjes financiare jam shumë e kënaqur dhe kjo është mënyra se si ne i përkrahim politikat në Kosovë, se si ne ta ndërtojmë ato. Pjesa e parë është 17 milionë euro, por jemi në përgatitje edhe të pjesës së dytë”, ka thënë ajo.

“Deri në fund të vitit 2020 ne e shikojmë mundësinë e rritjes edhe të punësimit dhe të sigurohemi që të rinjtë të kenë kushte më të mira. Nuk kemi kohë për të humbur, sepse sfidat janë të shumta, por zotimi jonë do të mbetet që t’i kaloni këto sfida”, ka thënë ajo.

Ruiz Calavera ka shtuar se sfidat janë të mëdha që i ka Kosova, por garanton se Kosova do ta ketë mbështetjen e tyre.

Të ngjashme