Kosova po shkon e papërgatitur në dialog, mos të diskutohen çështjet e brendshme

Prishtinë | 20 Qer 2018 | 15:14 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur tryezën me temën “Faza finale e dialogut: këndvështrimi i subjekteve politike”, një diskutim me shefat e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Shefi grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti tha se Kosova po shkon në dialog e pa përgatitur.

“Tani po futemi në fazën finale të dialogut dhe ne nuk kemi informata a do të ulemi në tryezë me Serbinë për të diskutuar për kushtetutën e Kosovës, askush nuk e thotë këtë. Duhet të ketë kujdes secili që merr përgjegjësi rreth çështjes se dialogut. Autorizimet për ta përfaqësuar Kosovën në Bruksel nuk merren në konferenca për shtyp. Kemi parë një aktivitet të shtuar të komunitet ndërkombëtarë për dialogun Kosovë-Serbi dhe kjo është mirë por fatkeqësisht ne nuk jemi përgatitur dhe jo pse opozita e ka penguar apo pse opozita është e dobët por sepse qeveria është më e dobëta që ka pasur Kosova ndonjëherë”,tha ai.

Memli Krasniqi nga PDK tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është kusht për rrugën e dy vendeve drejt integrimit.

“Pse po dialogojmë ne me Serbinë. Dialogu ka lindur përmes një rezolute të asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Dialogu është kusht për Kosovën dhe Serbinë. Negocimi i Kosovës nuk ka qenë kurrë drejtpërdrejt me Serbinë gjithmonë ka qenë me ndërmjetësues. Ne konsiderojmë që duhet të ketë gjithpërfshirje në këtë proces”, tha ai.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje tha se presidenti i vendit po e udhëheq dialogun sipas karrierës së tij.

“Rreziku më i madh i shoqërisë do të ishte sikur Hashim Thaçi të ishte drejtor i PTK-së sepse drejtori i PTK-se do të udhëheqte me bisedimet me Serbinë. Nga ka ec karriera e Hashim Thaçit ka ec edhe dialogu me Serbinë. Kosova deri në vitin 2010 ka shënuar disa fitore me Serbinë mirëpo që nga viti 2011 ka shënuar hapa mbrapa. Kemi shënuar disa marrëveshje mirëpo janë të dëmshme sepse kemi folur për tema tona të brendshme”.

“Nëse nuk ndërrohet kahja e dialogut atëherë Kosova ka me pranu mos pranimin e vetvetes. Me kryeneçësi një njeri po donë që nga do që shkon karriera e tij politike duhet të shkoj edhe dialogu. Marrëdhëniet qe duhet të diskutohen me Serbinë janë marrëdhëniet e jashtme dhe jo të brendshme. Ai tha se nëse vazhdohet me dialog të tillë Serbia do të krijoj autonomi të serbëve në Kosovë. Problem është diskursi i presidentit i cili thotë se unë mendjen e kam ndarë si erdhët ju si jo, çfarë kam vendosur të nënshkruaj do të nënshkruaj. Vetëvendosjes i mbetet të përdorë të gjitha resurset për të ndalë këtë proces të dëmshëm”, tha ai.

Dardan Sejdiu kryetar i grupit parlamentar të PSD tha se kuvendi është institucioni ku duhet të aprovohet çdo lloj ecje e shtetit.

“Kemi pas përgatitje jo serioze dhe mungese totale të dëshirës për me ndërtu një platformë që nuk shkakton pakënaqësi shoqërore. Duke pas parasysh që po flitet për një fazë të re të dialogut duhet të kemi një proces të mirë të përgatitur. Partitë politike duhet të dakordohen që përgjegjësia ti takoj kuvendit”, tha ai.

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën tha se është koha ti përgjigjemi situatës në të cilën ndodhet vendi.

“Dialogu nuk është se është instrumenti më i mirë për faktin se dialogu po bëhet për shkak se Serbisë po i duhet. Ne mundemi shumë në këtë situata ti shtyjmë çështjet tona përpara për shkak se Serbisë po i duhet ky dialog. Kufijtë e marrëveshjes duhet të jenë kur s’preket sovraniteti, unikaliteti dhe integriteti i shtetit. Në bisedimet teknike del që është prek unikaliteti i vendit e nëse është prek në bisedime teknike pse duhet të besojmë qe nuk do të preket në bisedimet politike”, tha ai.

Muharrem Nitaj nga AAK tha se spektri politik duhet ta deklaroj opinionin e vet.

“Nuk e besoj që mund të qëndroj konstatimi se kryeministri e ka mandatuar Presidentin Thaçi për të dialoguar. Kosova është në prag të fazës përfundimtare të procesit të dialogut. Unë besoj që përfaqësuesit e partive politike nuk e kanë komoditetin që ta përjashtojnë vetën nga dialogu. Spektri politik ta deklaroj opinionin e vet”, tha ai.

Të ngjashme