Kovatchev: Shpresoj që KE të japë rekomandim për heqjen e vizave deri në fund të qershorit

Prishtinë | 07 Maj 2018 | 16:21 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partitë politike në Kosovë duhet të bëhen bashkë në mënyrë që t’i arrijnë qëllimet e tyre, sikur që është liberalizimi i vizave. Kështu tha përfaqësuesi nga Partitë Popullore Evropiane (EPP), Andrey Kovatchev, pas takimit me zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Kovatchev tha se shpreson që Komisioni Evropian të ketë një rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave për kosovarët deri në fund të muajit qershor, raporton Ekonomia Online.

“Unë shpresoj se Komisioni Evropian do të vijë me një rekomandim para Këshillit para verës, ndoshta nga mesi apo fundi i muajit qershor dhe më pas kjo varet nga Këshilli. Por përsëri, partitë politike në vend duhet të bashkohen sa i përket këtij prioriteti dhe gjithashtu ta bëjnë punën e tyre duke komunikuar”, tha ai.

“Për më tepër, ne biseduam për situatën politike në Kosovë dhe se gjithnjë duhet të ketë një kombinim të agjendës evropiane dhe agjendës së partisë, e cila nuk është e dëmshme për vendin dhe gjithçka që bëhet të bëhet në drejtim të së ardhmes së Kosovës në Bashkimin Evropian”.

Pas takimit me përfaqësues të EPP-së, për medie u deklarua nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Veliu tha se kanë njoftuar përfaqësuesit e EPP-së lidhur me zhvillimet në vend si dhe me qëndrimin e LDK-së, se  Kosova është në krizë institucionale dhe politike.

Ai madje tha se nga EPP kanë kërkuar mbështetje për daljen nga kjo situatë si dhe për plotësimin e agjendës evropiane.

“Sot ne i informuam përfaqësuesit e Partive Popullore Evropiane për zhvillimet aktuale në Kosovë. E dhamë qëndrimin e LDK-së në lidhje me situatën e tashme. Sikurse e dini, ne e kemi cilësuar si krizë edhe politike edhe institucionale dhe natyrisht e kërkuam mbështetjen e tyre se si të dalim nga kjo situatë dhe përkrahjen e tyre për arritjen e agjendës evropiane të Kosovës sa i takon disa çështjeve që janë me interes për Kosovën”, tha ai.

Të ngjashme