“KQZ-ja shkeli ligjin duke certifikuar të dënuar”

Prishtinë | 10 Sht 2017 | 16:56 | Nga

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shkelur ligjin duke certifikuar kandidatët me të kaluar kriminale, respektivisht me dënime gjyqësore të formës së prerë, për të garuar për asamblistë dhe kryetar të Komunave në zgjedhjet komunale të 22 tetorit 2017.

“IKD vlerëson se vendimi i KQZ-së për të certifikuar kandidatët me të kaluar kriminale në tri vitet e fundit, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet Lokale në Kosovë paraqet skandal, për të cilin fton Prokurorin e Shtetit të hetojë vendimmarrjen e KQZ-së, e cila përkundër të dhënave zyrtare nga KGJK për kandidatët me të kaluar kriminale, ka bërë certifikimin e tyre apo nuk ka ndërmarr veprime konform ligjit për të pastruar listat e kandidatëve për asamblistë apo Kryetar të komunave, të cilëve në bazë të ligjit iu mohohet e drejta për të kandiduar në zgjedhjet komunale të përcaktuara me 22 tetor 2017”, thuhet në reagimin e IKD-së.

IKD thekson se një shkelje e tillë e ligjit në mënyrë kaq transparente nuk mund ta lë indiferent Prokurorin e Shtetit, i cili ka mandat kushtetues dhe ligjor të hetojë dhe ndjek këto veprime.

Bazuar në të dhënat zyrtare janë mbi 7000 kandidatë për të cilët KQZ ka kërkuar të dhëna për të kaluarën e tyre kriminale në Gjykatat Themelore të Republikës dhe janë mbi 600 kandidatë, të cilët kanë aktgjykime dënuese përfundimtare ose gjenden në procedura penale.

IKD kërkon nga KQZ që në përputhje me legjislacionin pozitiv, të bëhet largimi i të gjithë kandidatëve për asamblistë dhe kandidatëve për Kryetar të Komunave që kanë aktgjykime dënuese përfundimtare për vepra penale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme