KQZ-ja merr vendim të rinumërohen edhe 280 kuti

Prishtinë | 19 Qer 2017 | 17:13 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen edhe 280 kuti të votimit, rekomandim ky i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, raporton Ekonomia Online.

Prej tyre 150 në rinumërim të pjesshëm ndërsa 130 më rinumërim të plotë. Rinumërimi i tyre do të bëhet për shkak të mospërputhjes së të dhënave të kandidatëve dhe subjekteve politike.

Burim Ahmetaj, koordinator i QNR-së ka shpjeguar se janë 280 vendvotime të cilat nuk kanë mundur ta kalojnë auditimin.

“Janë 280 vendvotime të cilat nuk kanë mundur ta kalojnë auditimin, akoma QNR nuk i ka të kompletuara të gjitha proceset ndoshta mund të dal edhe ndonjë vendvotim tjetër që ndoshta duhet të pritet vendim i KQZ-së, mirëpo këtu është pjesa më e madhe e të gjitha vendvotimeve për të cilat nevojitet vendim i KQZ-së”, ka thënë ai.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit do të bëhen zyrtare kur të numërohen të gjitha votat.

“Rezultatet do të bëhen zyrtare kur të numërohen të gjitha votat edhe ato të ardhura me postë edhe ato me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta”, tha Daka në mbledhjen e sotme.

“Kam parë nëpër medie publikimin e disa listave dhe dua të sqaroj që ende nuk ka rezultat të saktë deri sa të numërohen të gjitha votat”, shtoi ajo.

Rinumërimi i kutive të votimit mund ta vonojë shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve dhe certifikimin e tyre.

Rinumërimi 280 kutive të votimit e çon në 425 numrin e kutive të rinumëruara.

Të ngjashme