Krasniqi: Koalicionet e tjera, përpjekje të dëshpëruara

Prishtinë | 16 Maj 2017 | 21:05 | Nga

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se koalicionet parazgjedhore të partive të tjera janë një “përpjekje për mbijetesë”.

“PDK nën udhëheqjen e kandidatit për kryeministër zotëri Veseli do të fitojë, sa i përket çështjes së koalicioneve të partive të tjera janë disa përpjekje të dëshpëruara për të pasur një mundësi të mbijetesës”.

“Janë koalicione të panatyrshme, të njerëzve që nuk i përkasin as bindjeve të njëjta ideologjike, s’kanë lënë gjë të zezë pa thënë për njëri-tjetrin derisa tash për interesa krejt joparimore bashkohen”.

Krasniqi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se këto koalicione parazgjedhore kanë efekt pozitiv për partinë ku ai bën pjesë.

“E shoh pozitive për PDK-në pasi shumë eksponentë, veçanërisht të AKR-së kanë filluar të shprehin pakënaqësitë e tyre dhe duan t’i bashkangjiten Fillimit të Ri”.

Nënkryetari i PDK-së ka treguar edhe se PDK do të ketë koalicion parazgjedhor me disa parti.

“PDK është e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të punojnë për të mirën e vendit, dhe ta lëvizin përpara Kosovën, kështu që besojmë që deri në përfundimin e afatit të koalicionit, do të kemi edhe disa parti të reja, Republikanët e Rinj dhe disa parti të tjera që duken se nuk kanë peshë të madhe elektorale por për ne janë parti të respektuara”.

“Mendojmë se edhe ata pajtohen me atë që Kosova ka nevojë për lider të ri, për një Fillim të Ri që të lëvizë nga ky bllokim”.

Ai ka folur edhe për koalicionet paszgjedhore.

“Besojmë që tash për tash të vazhdojmë me koalicionet ekzistuese, 6 ose 7 parti por lëmë mundësi të hapur për koalicionet paszgjedhore, pas certifikimit të fitores së koalicionit të udhëhequr nga ne”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme