Krasniqi: Qeveria e ardhshme do të jetë e vendimeve të mëdha

Prishtinë | 16 Qer 2017 | 18:48 | Nga

Ministri në detyrë i Bujqësisë dhe nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi me një postim në Facebook i ka falënderuar votuesit që e kanë përkrahur.

Ai ka thënë se do të jetë privilegj për të t’i shërbejë vendit dhe qytetarëve pa dallim.

“Dëshiroj të ju falënderoj sinqerisht për mbështetjen tuaj të fuqishme edhe në këtë proces zgjedhor. Besimi që më keni dhënë me votën tuaj në këto zgjedhje është privilegj, por para së gjithash është një përgjegjësi më shumë për t’i shërbyer vendit tonë dhe të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Nënkryetari i PDK-së është shprehur i bindur se Qeveria e ardhshme e Kosovës do të jetë qeveri e vendimeve të mëdha.

“Në të gjitha angazhimet e mia publike të deritashme jam përpjekur që të punoj me përkushtim dhe me nder dhe të njëjtën do ta bëj edhe në të ardhmen. Jam i bindur se Qeveria e ardhshme do të punoj shumë për realizimin e zotimeve tona të përbashkëta. Kjo do të jetë një Qeveri e vendimeve të mëdha për vendin, që do të përshpejtojnë zhvillimin ekonomik dhe integrimin tonë në Evropë”, ka thënë Memli Krasniqi.

Nga rezultatet e para jozyrtare, del se Krasniqi është në mesin e më të votuarave të koalicionit PAN.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme