Krasniqi: Thaçi i futi në “gji” ata që i quajti kriminelë

Prishtinë | 12 Nën 2016 | 14:41 | Nga

Kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke folur para të pranishmëve në prezantimin e kandidatit të këtij subjekti për kryetar të Drenasit ka thënë se këto zgjedhje janë pasojë e një politike e gabuar nga kreu i shtetit, Hashim Thaçi.

Krasniqi ka theksuar se politikën e interesit kombëtar Thaçi e ka kthyer në interes personal, andaj Kosova dhe Drenasi ka ardhur në këtë gjendje.

“Do të bëjmë ndryshim dhe rrjedhat negative që ka marrë ky vend do t’i kthejmë në rrjedha pozitive. Jam i bindur se me vullnetin e qytetarëve të Drenicës dhe Drenasit, Kosova duhet t’i bëjë ndryshimet e saj. Ka ardhur koha për një ndryshim. Kemi paralajmëruar moti se Kosova duhet të ndryshojë, por nuk mjaftoi”, ka thënë Krasniqi.

“Të gjitha marrëveshjet politike që janë arritur nga kreu i shtetit janë të dëmshme për Kosovën. Kosovës nuk i kanë sjellë asnjë perspektivë dhe nuk do t’i sjellin perspektivë. Bisedimet e kanë sjellë më shumë Serbinë në Kosovë dhe përgjegjësia është e koalicionit qeverisës dhe Thaçit”, ka theksuar ai.

“Hashim Thaçi gjatë 17 vjetësh të gjithë ata që i ka cilësuar si kriminelë, gjatë qeverisjes së tij i ka futur në gjirin e tij, ka qeverisur me kriminelë. Jo pak herë e ka quajtur qeverinë Bukoshi në ekzil qeveri kriminale. Kush e bëri kryeministër Isa Mustafën”, ka theksuar Krasniqi.

Zgjedhjet në Drenas po mbahen pas dorëheqjes së Nexhat Demakut, një ditë pasi që Gjykata e Apelit vërtetoi aktgjykimin për 10 të akuzuarit në rastin e njohur si “Drenica 2”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme