Krasniqi: Thaçi të dorëhiqet

Prishtinë | 13 Mar 2017 | 08:16 | Nga

Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi gjatë një interviste për “Zërin” thotë se deri më tani ka pasur shumë arsye që presidenti Hashim Thaçi të dorëhiqet. Sipas tij, dorëheqja bëhet dukshëm më e qartë nëse ai nuk arrin të garantojë mbështetjen për ushtrinë nga aleatët tradicionalë të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës

Kryetari i Këshillit Kombëtar të “Nismës për Kosovën”, Jakup Krasniqi, ka vlerësuar se iniciativa e presidentit Hashim Thaçi për ta formuar ushtrinë duhet të çohet përpara, por jo duke cenuar raportet me bashkësinë ndërkombëtare.

Ai ka thënë se Thaçi me këtë nismë sikur deshi t’ia marrë meritat opozitës, pasi që, ashtu si ai është shprehur, opozita ka qenë ajo e cila për herë të parë ka iniciuar formimin e ushtrisë nëpërmjet ligjit. Ndërkohë, ka thënë se Thaçi duhet të japë dorëheqje, po qe se nuk garanton mbështetje nga ndërkombëtarët, sa i përket çështjes së ushtrisë.

“Dorëheqja është akt moral i secilit zyrtar të lartë të shtetit. Edhe deri më tani kishte shumë arsye që ai të dorëhiqej, pasi ai nuk po mund të jetë unifikues i skenës politike në Kosovë”, është shprehur ai.

Krasniqi më tej ka bërë të ditur se opozita do të vazhdojë ta kundërshtojë Demarkacionin dhe se protestat nuk duhen ndalur ndaj kësaj marrëveshjeje. Megjithëkëtë, ai ka theksuar se “Nisma” nuk është kundër kësaj marrëveshjeje, por kundër versionit që ajo ka aktualisht.(Zeri)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme