Kryeministri Haradinaj e quan rrenc Rexhep Selimin, i thotë se në luftë është shëtitur nëpër Shqipëri

Prishtinë | 23 Mar 2018 | 18:25 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Votimi i demarkacionit me Malin e Zi ka shkaktuar edhe sot përplasje ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës. Pasi deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka fajësuar kryeministrin Ramush Haradinaj se “e ka shkurtuar rrugën për në Malin”, duke aluduar se i ka falur tokë shtetit fqinj, ky i fundit e quajti rrenc ish-bashkëluftëtarin e tij.

Madje, sipas Haradinajt, Rexhep Selimi nuk është se ka luftuar edhe aq shumë. “Ti ke qëndruar në Shqipëri, je shëtitur para luftës, gjatë luftës dhe pasluftës, gjithë kohës… Therrë nuk i ka hy”, ka thënë Haradinaj, raporton Ekonomia Online.

Kreu i AAK-së ka parashikuar se Selimi do ta braktisë shpejt Albin Kurtin.

Përplasja mes dy ish-bashkëluftëtarëve ndodhi gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për financimin e autostradës Kijevë – Zahaq.

“Është evidente që pas miratimit të marrëveshjes së pardjeshme, rruga për në Mali të Zi është shkurtuar më shumë, madje është shkurtuar për disa kilometra… Dikush i është gëzuar kësaj, janë ata që atë ditë në këtë sallë, pas ratifikimit duartrokitën dhe u përqafën me njëri-tjetrin. Rrugët që na janë marrë i nxjerrim, por rrugët që i kemi dhënë vetë kurrë më nuk do të mund t’i nxjerrim”, u shpreh deputeti Selimi, nga ulësja e vet.

“Rexha është shumë i mençur. Prej që ia ka nisë lëvizjes për liri, është aktiv po therrë nuk i ka hy, njëmend nuk i ka hy therrë Rexhep Selimit, ka shpëtuar vetë, edhe pas luftës ka shpëtuar mirë, nuk e ka bërë asnjë ditë burg, asnjë problem nuk i ka ndodhë”, është kundërpërgjigjur Haradinaj.

“Ti po thua që për pak ditë pushtet e kam shitë tokën. Ti je rrenc i madh. Ti ke qëndruar në Shqipëri, je shëtitur para luftës, gjatë luftës dhe pasluftës, gjithë kohës”.

“Je ulë afër këtij burri (Albin Kurtit) për vota. Por, edhe ky ka me pa që ke me lanë shpejt”, k vazhduar kryeministri, dukshëm i nervozuar.

Gjatë këtij debati, ka ndërhyrë edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili ka kërkuar që të kihet kujdes me fjalorin.

Të ngjashme