Kryesia thërret seancën e jashtëzakonshme në mesditë, mund të shtyhet

Prishtinë | 10 Sht 2017 | 11:04 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot në orën 12:00, do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, sipas kërkesës së 53 deputetëve nënshkrues.

Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të saj, të drejtuar nga kryetari Kadri Veseli.

Kryetari Veseli vlerësoi se kërkesa e parashtruar i plotëson kushtet procedurale.

Në këtë seancë do të debatohet lidhur me “Parimet Programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021”, të prezantuar në seancën e 9 shtatorit 2017.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili foli për gazetarët pas mbledhjes së Kryesisë, tha se ia kanë përcjell Sekretarisë së Kuvendit kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme me fillim nga ora 12:00, ashtu siç e ka kërkuar opozita.

Por, pritet të shikohet nëse seanca do të mbahet në mesditë për shkak të kohës së shkurtër që të mblidhen deputetët.

Veseli: Po bëhet një luftë politike për shkak të zgjedhjeve lokale

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se salla e seancës duhet të jetë e hapur të për gjitha partitë politike, të pozitës dhe të opozitës.

Por, Veseli tha se qysh në start të themelimit të institucioneve po krijohet një formë e luftës politike për përfitime pasi që, sipas tij, jemi para zgjedhjeve lokale.

Ai ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Haradinaj do të fokusohet drejt forcimit të sovranitetit dhe integrimeve euro-atlantike, duke theksuar se do ta respektojnë Listën Serbe.

“Do të marrim vendime, e respektojmë Listën Serbe. Kjo qeveri do t’i përmbyll katër vite. Nuk do të jetë qeveri që kënaqet me numra”, ka thënë Veseli pas mbledhjes së Kryesisë.

Konjufca: Qeveria e obliguar të vijë në seancën e jashtëzakonshme

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se Qeveria është e obliguar që të vijë në seancën e jashtëzakonshme pasi votohet prej Parlamentit e ka relacion të llogaridhënies.

“Nëse refuzon të vijë na tregon se si synojnë të qeverisin”, tha Konjufca, para gazetarëve.

Hoti: Kryetari i Kuvendit dje bëri cirk

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se dje rregullorja e punës së Kuvendit është shkelur nga kryetari Kadri Veseli.

Hoti ka thënë opozita do të ndjekë rrugët ligjore për t’i dëshmuar këto shkelje.

Më tutje, Hoti theksoi se se “kryetari i Kuvendit dje bëri cirk duke mos lejuar të zhvillohet debati”.

Duke iu përgjigjur Hotit, kryeparlamentari Veseli tha se cirkun e nisi opozita dhe e përmbylli pozita.

Veseli tha se “Hoti ka pësuar një tronditje pas rënies në opozitë”.

Të ngjashme