Ku u tret “premtimi” që malaziasit i dhanë Veselit

Prishtinë | 23 Sht 2017 | 09:16 | Nga

Vendimi i Bashkimit Europian për t’ia mbivendosur Kosovës si kusht kryesor për liberalizimin e vizave ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, i bëri të gjitha kushtet e mëhershme të dukeshin lehtë të kalueshme.

Tema që polarizoi qëndrimet jo vetëm mes partive, por edhe brenda tyre dhe prodhoi mendime të kundërta më shumë se gjithçka tjetër, bllokoi tërësisht Kosovën – që edhe ashtu s’kishte lëvizur shumë – në rrugën drejt liberalizimit të vizave.

Por, gati para një viti, saktësisht me 16 nëntor të vitit të kaluar kryetari i atëhershëm dhe i tanishëm i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, doli me një zgjidhje.

Ai deklaroi publikisht se “kemi biseduar me zyrtarë të Malit të Zi, të cilët na kanë konfirmuar se do t’i drejtohen Bashkimit Europian me një shkresë zyrtare, përmes së cilës do të kërkojnë që qytetarët e Kosovës të mos mbesin të izoluar për shkak të demarkacionit”.

Nuk dihet kush ishin ata zyrtarë malazias që ia kishin konfirmuar këtë Veselit, pasi ai s’pati treguar, por nuk dihet as nëse ndonjëherë malaziasit bën atë që i kishin premtuar Veselit, pasi gjërat nuk lëvizën në atë drejtim.

Kjo konfirmohet edhe nga vet BE, kur në pyetjen e Klan Kosovës se a kanë pranuar letër nga Mali i Zi ku kërkohet që, siç kishte thënë Veseli, qytetarët e Kosovës të mos mbesin të izoluar për shkak të demarkacionit, Maja Kocijançiq, në përgjigjen e saj nuk përmend të kenë pranuar ndonjë kërkesë të sojit të tillë nga Mali i Zi.

“Me një qeveri të re në udhëheqje, komisioni pret për përmbushjen e standardeve te rëndësishme si dënimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit e po ashtu edhe ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi”, ishte krejt çfarë dha si përgjigje Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerimit.

Se a i kërkuan ndonjëherë BE-së që të mos i mundojnë kosovarët me çështjen e Demarkacionit nuk kanë treguar as nga Mali i Zi.

Klan Kosova ka pyetur në zyrën e kryeministrit të shtetit fqinj, por Srdjan Kusovaq, këshilltar i kryeministrit malazez, Dushko Markoviq, s’ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë, veçse ka adresuar Klanin që për këtë çështje të dëgjojë një intervistë të ministrit të Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq, dhënë për TV Montenegro.

Darmanoviq, në këtë intervistë pyetet për Demarkacionin me Kosovën dhe për faktin se tashmë është ndërruar edhe komisioni për shënjimin e kufirit nga qeveria e re kosovar, por ai s’thotë t’i kenë dërguar BE-së letrën që Veseli e përmendte.

Pos që deklaron se për Malin e Zi tashmë tema e demarkimit të kufirit me Kosovën ka përfunduar.

“Mali i Zi këtë çështje e ka zgjidhur. Ne kemi hyrë në një proces serioz të demarkimit me Kosovën dhe nënshkrimi i marrëveshjes ishte bërë në kuadër të Procesit të Berlinit dhe për të cilin u pajtuan pala malazeze dhe ajo kosovare”, ka thënë Darmanoviq, njofton Klan Kosova.

“Mali i Zi, disa muaj më vonë, më 2015, e ratifikoi marrëveshjen në mirëbesim dhe për ne ky proces ka mbaruar”.

Për këtë kërkesë të Malit të Zi në favor të Kosovës në BE, që mbase s’u bë asnjëherë, nuk kanë ditur gjë as nga zyra e vet kryeparlamentarit.

Adri Nurellari, njëherë i tha Klan Kosovës se “më duhet të interesohem” dhe më nuk u përgjigj fare, ndërsa, Valmir Klaiqi, këshilltari tjetër i Veselit, fillimisht tha se “do të shikojmë’, për t’u mos u përgjigjur më, as pas dy javë pritjeje.(Klankosova)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme