Kuçi: Qeveria mbështet programet që përmirësojnë jetën e qytetarëve

Prishtinë | 30 Mar 2017 | 17:54 | Nga

Zëvendëskryeministri i parë i Republikë së Kosovës, Hajredin Kuçi, mori pjesë në prezantimin e projektit të ri të USAID-it, Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (TEAM) në Kosovë.

Para të pranishmëve, ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, ministrave, kryetarëve të Komunave dhe përfaqësueseve të tjerë të institucioneve, zëvendëskryeministri Kuçi falënderoi Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe USAID-in për mbështetjen e vazhdueshme për ndërtimin e një shoqërie demokratike në Kosovë.

“Ky është një realitet faktik i pakontestueshëm, për të cilin mendoj se qytetarët dhe institucionet e Kosovës janë jashtëzakonisht falënderuese, që Kosova vazhdon të mbetët një prioritet për Qeverinë e SHBA-ve, partneriteti dhe mbështetja e të cilës është dëshmuar vazhdimisht në forma të ndryshme. Gjatë këtyre viteve, në institucionet publike, kam vërejtur se si ka lëvizur qasja dhe asistenca e Qeverisë Amerikane, nga çështjet më madhore të shtetbërjes të fokusuara kryesisht në institucionet publike dhe shtetndërtim, në programet që kanë për qëllim shërbimet dhe përmirësimin e jetës për qytetarët”, tha zëvendëskryeministri Kuçi, duke theksuar se procesi më i rëndësishëm i shtetndërtimit në një vend paraqet investimin në edukim dhe gjeneratat e reja, zhvillim ekonomik dhe shërbimet më efikase për qytetarët, tërë kjo me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve dhe ofrimit të kushteve më të mira për jetesë.

Më tej, zëvendëskryeministri Kuçi theksoi se në Kosovë, si në shoqëri ashtu edhe në institucione ende nuk ka një koncept plotësisht të qartë të “Llogaridhënies” ndaj taksapaguesve, qoftë kjo përmes formave direket apo indirekte dhe për detyrimin e përmirësimit të jetës së qytetarëve.

“E them këtë, për të potencuar faktin se, të gjithë zyrtarët qoftë në nivel lokal si kryetarët e komunave, dhe në nivel qendror, por edhe i gjithë stafi në institucionet publike, në momentin e marrjes së pozitës së caktuar nënshkruajnë një kontratë shoqërore me qytetarët, përkatësisht taksapaguesit dhe përgjegjësinë kryesore duhet ta kenë ndaj tyre. Në terme më konkrete kur bisedojmë për llogaridhënien, padyshim se si dy komponentë integrale na paraqitet edhe transparenca dhe efikasiteti. Andaj konsideroj se fillimi i këtij programi, i udhëhequr nga kompania DAI, që ka për qëllim përmirësimin mu në këto fusha në nivel lokal është mëse i mirëpritur”, tha zëvendëskryeministri Kuçi.

Më tej, ai përmendi dy çështje që ndërlidhen me transparencën, efikasitetin dhe llogaridhënien në Komunat e Kosovës. “Dëshiroj të theksoj se ky është proces i dyanshëm. Në mënyrë që komuna të jetë transparente duhet të ketë ndaj kujt, d.m.th, duhet të kërkohet më shumë transparenca dhe llogaridhënia nga institucionet dhe për shërbimet. Qytetaria aktive është kontribuues i madh në ngritjen e transparencës, në mënyrë direket nga qytetarët apo në mënyrë indirekte nga organizatat joqeveritare. Në anën tjetër, komunat janë të obliguara të sigurojnë qasje transparente në të gjitha shërbimet që kryhen përbrenda komunës, veçanërisht në çështjet që ndërlidhen me prokurim publik dhe shërbimet ndaj qytetarëve”, tha zëvendëskryeministri Kuçi, duke shtuar se komunat mund të marrin edhe një rol më proaktiv në krijimin e kushteve për rritjen e transparencës, jo vetëm me hapjen e dyerve për qytetarët dhe organizatat joqeveritare, por edhe duke i ftuar ata që të jenë aktiv në monitorimin e proceseve vendimmarrëse në komuna, duke u siguruar që fondet e caktuara të përdoren në shërbim të qytetarit.

Me këtë rast, zëvendëskryeministri Kuçi tha se fokusi në E-prokurim është esencial, shton nivelin e transparencës, si dhe mundëson që informatat të jenë të hapura për publikun e gjerë në një masë më të madhe, përmes shpërndarjes së informatave qoftë në webfaqe apo edhe përmes mjeteve tjera të informimit.

Ai tha po ashtu se në shumicën e komunave ka sisteme të themeluara për shërbimet bazike për qytetarë, por duhet të jenë më kreativ dhe inventiv në disajnimin e programeve dhe metodave që lehtësojnë qasjen e qytetarëve në shërbimet publike duke lehtësuar jetën e tyre, dhe njëkohësisht duke rritur edhe efikasitetin e institucioneve dhe llogaridhënien ndaj taksapaguesve.

Duke uruar për zbatimin e programit, zëvendëskryeministri Kuçi shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për programe të tilla që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve si shtyllë e shtetit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme