Kurteshi: Dëshmitë që fajësojnë aktivistët tanë nuk ekzistojnë

Prishtinë | 23 Gus 2017 | 14:50 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ishin të pranishëm edhe katër aktivistët e liruar dje nga arresti shtëpiak. Gjykatën Themelore në Prishtinë, dje, ka marrë vendim që katër aktivistëve, të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, masa e arrestit shtëpiak të iu ndërrohet me masën e lajmërimit në Policinë e Kosovës.

Sami Kurteshi, Sekretar i Lëvizjes Vetëvendosjes, ka thënë se aktivistët e LVV-së janë mbajtur në masa të arrestit të pafajshëm kjo është edhe një dëshmi më shumë për pafajësinë e tyre.

“Dëshmitarët në këtë rast nuk mund të ofrojnë dëshmi të qëndrueshme që fajëson aktivistët sepse dëshmi të tilla nuk ekzistojnë”, ka thënë Kurteshi.

“Arrestimi, zhurma e krijuar, shpifjet, mbajtja në paraburgim dhe arrest shtëpiak kanë qenë vetëm veprime për të arsyetuar qëllimin madhor të pushtetit, nxjerrjen e Lëvizjes Vetëvendosje në terrenin e terrorizmit dhe dëmtimin e saj në aspektin shoqëror, politik dhe elektoral. Ne jemi të bindur se herët a vonë gjykata do të shpallë këtë vendim mbi pafajësinë e gjithë aktivistëve”, tha Kurteshi, duke shtuar se Vetëvendosje nuk do të rresht asnjëherë së kërkuari drejtësi për këtë rast, Astritin, dhe për të gjitha vrasjet politike.

“Beteja ligjore nuk ka përfunduar ende, kjo betejë është pjesë e luftës politike që e ka filluar pushteti aktual dhe i kaluar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Fundi i kësaj lufte është në perspektiv jo të largët. Vota e 11 qershorit është dëshmia se pushteti aktual dhe pushteti i kaluar, ky pushtet represiv e ka humbur luftën dhe i ka humbur të gjitha betejat njërën pas tjetrës”, ka thënë Sami Kurteshi, në konferencën e mbajtur për medie, transmeton Ekonomia Online.

Adea Batusha, e cila ka qenë kandidate për deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, e quajti proces të montuar arrestimin dhe mbajtjen në arrest shtëpiak të katër aktivistëve.

“Sikurse që procesi në përgjithësi edhe vendimet e gjykatës gjithmonë kanë qenë politike. Në fund të fundit fakti që ne u liruam dje edhe pse asnjë rrethanë nuk kishte ndryshuar prej para një viti apo gjatë muajve të kaluar, tregon që gjykata ka pasur bazë për të na liruar prej fillimit por nuk e ka bërë këtë gjë për arsye komplet politike”, ka thënë Batusha.

Ajo ka shtuar se nuk do të ndalen derisa përgjegjësit për vrasjen e Astrit Deharit të përfundojnë në burg.

“Dëshmitarët dje në seancën gjyqësore kundër nesh konfirmuan se ky proces madje edhe deklaratat e tyre kanë qenë prej fillimit të montuara. Asnjë dëshmitar, asnjëherë nuk e ka identifikuar asnjërin prej nesh. Gjithçka ka qenë shpikje e policisë. Mbi këtë shpikje është arrestuar dhe mbajtur Astrit Dehari. Për këtë dhe për shkaka të kësaj shpikje dhe këtij montimi ka vdekur astriti kështu që ky rast nuk përfundon me kaq. Ne nuk do të ndalemi me përpjekjen tonë, nuk ndalemi së kërkuari drejtësi për Astritin edhe derisa përgjegjësit për montimin dhe vdekjen e tij të përfundojnë në burg”, tha Batusha.

Ndërsa Frashër Krasniqi tha se ata do të vazhdojnë të sillen siç janë sjellë deri më tani.

Të ngjashme