Kurti: Jemi partia e parë, ftoj LAA-në e PAN-in ta krijojmë qeverinë

Prishtinë | 13 Qer 2017 | 15:23 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se në zgjedhjet e të dielës, Vetëvendosje u konfirmua si partia e parë në vend.

Andaj, nëpërmes një konferencë për medie, Kurti ka ftuar koalicionin LDK-AKR-Alternativa dhe deputetët e PAN-in që t’u bashkohen për krijimin e qeverisë, raporton Ekonomia Online.

“Në këto kushte plotësisht të reja politike, dhe bazuar mbi përkrahjen e madhe qytetare, ne deklarojmë se jemi të gatshëm për të ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme për ndërtimin e një qeverie të re të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Qytetarët kanë votuar për ndryshim dhe ne kemi dëgjuar mirë e qartë zërin e tyre prandaj e kemi obligimin që ta japim maksimumin tonë”.

“Ne sot ftojmë të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK-AKR-Alternativa si dhe të gjithë ata deputetë të koalicionit PDK-AAK-Nisma që janë kundër vazhdimit të regjimit të vjetër të pushtetit të klanit printo që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar mbi situatën e re politike të vendit si dhe për programin e një qeveri të re të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Kurti.

“Zgjedhja e re qytetare tash duhet të bëhet qeveri e re progresive që zgjidh problemet e vendit tonë. Nëpërmjet 40 Prioriteteve të Republikës dhe marrëdhënies së afërt me popullin, me votën e tyre, qytetarët e vendit jo vetëm kanë afirmuar Lëvizjen VETËVENDOSJE! si partinë më të madhe politike në Kosovë, si partinë e parë në Republikë, por edhe kanë krijuar një situatë krejtësisht të re politike”, deklaroi Kurti në konferencën e sotme.

Tutje ai tha se Lëvizja VV , si askush tjetër në këto zgjedhje, ka fituar një legjitimitet të madh e të fuqishëm nga qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërkaq dy koalicionet që kemi patur përballë ths se kanë pësuar humbje të thella.

“Qytetarët kanë konfirmuar Vetëvendosjen si partinë më të madhe në Kosovë. Ndërsa, koalicionet që kemi pasur përballë kanë pësuar humbje. Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim të gjitha hapat e për krijimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje. Sot ftojmë dy koalicionet që të na bashkohen në tryezë për planin e ardhshëm”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit, koalicioni PDK-AAK-Nisma, është në krizë të thellë.

“Koalicioni PAN është në krizë të thellë dhe tashmë po vërehet pasi që kanë bërë koalicion mes veti. Populli nuk i do ata në Qeveri por na do neve. Populli e dëshiron një qeveri progresive”, ka thënë Kurti.

I pyetur nëse ka gjasa që presidenti Hashim Thaçi mos t’i japë VV-së asnjëherë mundësinë për të formuar Qeverinë, Kurti u përgjigj: “Nuk mund ta ndalë vullnetin e popullit një njeri si Thaçi”.

Kurti ka falënderuar edhe një herë qytetarët e vendit që votuan “për ndryshim” në zgjedhjet e 11 qershorit.

Të ngjashme