Kurti kujton Demaçin në 20-vjetorin e themelimit të Zyrës të UÇK-së në Prishtinë

Prishtinë | 07 Sht 2018 | 15:30 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-sekretar politik i kësaj zyre, Albin Kurti, në tribunën e organizuar me rastin e 20-vjetorit të hapjes së Zyrës të UÇK-së në Prishtinë, tregoi për hapat e parë të kësaj zyre.

“Gjatë 6 muajve që kemi funksionu së bashku kemi pas punë dhe shumë rrezik, por me bacën Adem në krye ka qenë gjithçka kollaj, e kishim udhëheqës dhe mbrojtës”, tha Kurti.

“Bashkë me Milot Cakajn ishim në këshillin organizativ të Universitetit të Prishtinës për organizimin e protestave paqësore dhe iu bashkuam ekipit të bacës Adem në Zyrën e UÇK-së, i cili përveç të tjerash edhe pajiste me leje gazetarët dhe vizitorët ndërkombëtarë që shkonin në zonat e luftës. Kemi pasur komunikim me komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, me Sylejman Selimin, i cili sot padrejtësisht mbahet në burgun e Dubravës dhe besoj që bashkërisht e përshëndesim përzemërsisht dhe i uroj të jetë sa më shpejt në mesin tonë”, tha ai.

Kurti tregoi për ditën kur Demaçi e kishte thirrur atë dhe prindin e tij për t’i informuar se çfarë rruge e rrezikshme po e priste Kurtin nëse do t’iu bashkohej ekipit të Demaçit. Kurti tha se nuk e kishte menduar shumë këtë mundësi dhe iu bashkua menjëherë Zyrës së UÇK-së, raporton Ekonomia Online.

“Duke iu falënderuar bacës Adem, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk konsiderohej më si ushtri terroriste dhe as ekstremiste dhe këtu kontributi i tij është i çmueshëm”, tha ai.

“Adem Demaçi ka qenë dialektik me metodë dhe historik me dije”, tha Kurti për Demaçin.

Në këtë ngjarje, edhe pse e pamundur prezenca fizike e tij, Sylejman Selimi, nga burgu i Dubravës kishte shkruar një letër në lidhje me përvjetorin e 20-të të Zyrës së UÇK-së në Prishtinë.

“Në kohën kur lufta po zhvillohej në zona të ndryshme, në një kohë të rëndësishme dhe organizimi të UÇK-së si një nga ngjarjet dhe të arriturat e luftës tonë ishte hapja e Zyrës së UÇK-së në Prishtinë”, shkroi Selimi nga burgu i Dubravës.

Selimi kishte shkruar se kjo zyrë nuk do të mund të hapej dhe të funksiononte pa vendosmërinë e të ndjerit Adem Demaçi, raporton EO.

“Hapja dhe funksionimi i kësaj zyre, pos rëndësisë të madhe që ka pasur në komunikimin brenda UÇK-së në kryeqytet, ajo shpërndau jehonë dhe vullnet te luftëtarët përmes komunikatave, intervistave dhe takimet me diplomatët, aty iu dha vullnet dhe moral shumë luftëtarëve për luftën dhe lirinë”, shkroi Selimi.

Hamif Bajrami, këshilltar në këtë zyrë dhe i Demaçit tha se në luftë nuk ka qenë luftëtar vetëm ai që ka qenë prijësi me armë në dorë, por secili ka dhënë kontributin e tij edhe nëse ka shërbyer me ujë, bukë, para, etj.

Ai e cilësoi Kurtin si një të ri të guximshëm dhe i patrembur në kohën para 20 viteve kur ai kishte qenë ish-sekretar i zyrës.

“Albini ka qenë shtylla jonë e fortë informativ dhe njerëzor, sepse ka qenë një i ri i guximshëm dhe i patrembur”, tha Bajrami.

Të ngjashme