Kurti në Gjakovë: Vetëvendosje kurrë nuk do t’iu gënjejë

Gjakovë | 07 Qer 2017 | 20:05 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në tubimin e Vetëvendosjes në Gjakovë kandidati për kryeministër Albin Kurti e nisi fjalën e tij duke përmendur shembuj specifik të përdorur në botë të tre shtyllave të programit të Lëvizjes; të shtetit të së drejtës, shtetit social dhe shtetit zhvillimor.

Kandidati për kryeministër tha se shteti i së drejtës i përkon barazisë së qytetarëve para ligjit, shteti social është shëndet, përkujdesje dhe mbrojtje e shtetit për të gjithë qytetarët e Republikës, ndërsa shteti zhvillimor është mbrojtje dhe nxitje e prodhimit vendas.

Në lidhje me zhvillimin ekonomik, Kurti tha “me VV-ja në qeverisje Kosova bëhet vendi ku njerëzit duan të rrinë dhe të punojnë, dhe jo të ikin dhe të harrojnë.”

Në funksion të këtij vizioni Kurti premtoi gjithashtu se me qeverisjen e Lëvizjes, “nuk mbetet asnjë pllambë e Kosovës djerrë. Ne do t’i rrisim edhe fermat, edhe rendimentin edhe cilësinë e prodhimeve bujqësore.” Në vargun e masave ndërhyrëse ai përsëriti zotimin për rishikimin e privatizimeve të mëdha, premtimin për garantimin e kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme edhe investimet për bujqësinë. Për realizimin e investimeve, Kurti foli në lidhje me themelimin e Bankës Zhvillimore.

Ai garantoi se, “Banka zhvillimore nuk është bankë për shitje, nuk do të vrapojë pas profitit, sepse e ri-investon fitimin. Sot qytetarët e Kosovës punojnë për bankat komerciale, me ne në qeveri bankat zhvillimore do të punojnë për qytetarët.”

Në lidhje me pabarazinë, kandidati për kryeministër u shpreh se, “në Kosovë ka pak demokraci, sepse ka shumë pabarazi, koncetrimi i pasurisë e minon demokracinë”. Me Vetëvendosjen në qeverisje, Kosova bëhet edhe vend i prodhimit edhe vend i rishpërndarjes.” Për të realizuar këtë synim Kurti e dalloi modelin e ri ekonomik nga ai i deri tanishmi duke thënë, ”krejt këto qeveritë e pasluftës e kanë mbajtur të ulur tatimin që ta rrisin pabarazinë. Aty ku ne e shtojmë tatimin e bëjmë këtë për ta zvogëluar pabarazinë dhe për ta rritur kërkesën agregate. Ndërkaq aty ku ne e ulim tatimin e bëjmë këtë për ta ulur varfërinë dhe për ta shtuar sindikalizmin.”

Për kundërshtarët në koalicione, Kurti i krahasoi ata me tenelovelat ku të gjithë çiftohen me njëri-tjetrin në të gjitha kombinimet e mundshme dhe ku çdo kombinim sjell mynxyrë për të tjerët përreth. “Me 11 qershor merr fund tenelovela e koalicioneve të korruptuara” u shpreh kandidati për kryeministër.

Me një intensitet të lartë në Pallatin e Kulturës, Kurti e mbylli fjalën duke thënë, “Ne jemi lodhur me këto pushtet që sundojnë! Por jemi të palodhshëm në Lëvizjen tonë, të palodhshëm deri në 11 qershor, kur do t’i lodhim, edhe këta të korruptuar dhe të lodhur të LDK-së, edhe këta të lodhur dhe të korruptuar të PDK-së.”

Të ngjashme