Kurti: Problemi i Luginës s’rregullohet me logjikën e korrigjimit të kufijve

Prishtinë | 14 Gus 2018 | 11:11 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se deklaratat e presidentit Thaçi për korrigjimin e kufirit janë përbrenda logjikës së demarkacionit, raporton Ekonomia Online.

“Deklaratat e presidentit për korrigjim të kufirit janë përbrenda logjikës së demarkacionit. Ju e dini se me 16 shkurt presidenti Thaçi e ka nënshkruar një marrëveshje me homologun e tij malazez për korrigjim të kufirit. Pasnesër bëhet gjashtë muaj, asnjë hap nuk është ndërmarrë. Korrigjimi i kufirit është çështje minore, nuk rregullohet problemi i Kosovës Lindore, me logjikën e demarkacionit të kufijve”.

Sipas Kurtit, presidenti Thaçi, më shumë po e jep veriun sesa që po e merr Luginën, raporton EO.

“Është brengosëse që presidenti, kur e pyesnit për veriun e Mitrovicës, goja e tij nuk e nxori fjalën Mitrovicë, Ujman, Trepçë. Me këtë logjikë të tij më shumë po e jep veriun në ndërkohë që s’po e merr Luginën. Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme. Në bazë të informacioneve që kemi, është rritë prania e xhandarmërisë serbe atje. Kam përshtypjen që po veprohet si me lapidarin e QPMB-së para 5 vjetëve”.

Kreu i VV-së tha se qeveria e Kosovës duhet ta konsiderojë referendumin e vitit 1992, në lidhje me çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, raporton EO.

“Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit e kanë thënë fjalën e tyre në referendumin e vitit 1992. Shteti i Kosovës, qeveria e Kosovës do të duhet që ta konsiderojnë këtë referendum, nuk e kanë bërë deri më sot, për shkak se janë udhëhequr prej interesave të ngushta. Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc janë të diskriminuar dhe të shtypur politikisht, edhe të shfrytëzuar ekonomikisht. Atyre duhet t’u ndihmojmë, mirëpo në qeverisje, dashuria matet me buxhet”.

“Asnjë qeveri e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, nuk ua dha asnjë cent shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Prandaj nuk mund të besojmë te këta politikanë të cilët shtiren se vetëm tash u ka dalur gjumi”.

Të ngjashme