Kurti: Shqiptarët presin shumë nga Bashkimi Evropian, por edhe BE nga ne

Prishtinë | 15 Maj 2018 | 15:04 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar  tryezën “Shqiptarët dhe integrimi evropian”, në prag të Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se pritjet nga Bashkimi Evropian dhe populli shqiptar janë të ndërsjellta.

“Shpesh kemi folur për integrimin evropian, saqë jo rrallëherë kemi harruar se kush jemi ne që duam të integrohemi në BE. Shqiptarët presin shumë nga Bashkimi Evropian, por edhe BE pret nga shqiptarët”.

“Unë besoj që përvoja jonë ka treguar se më lehtë në BE po integrohen ato vende që nuk e anulojnë politikën nacionale për shkak të integrimit. Greqia së fundmi ka treguar interesim për marrëdhënie më të mira në rajon. Shqipëria është ndër vendet kandidate për Bashkim Evropian”, tha Kurti.

Profesori Mazllum Bajraliu tha se duhet të krijohet një strategji gjithëkombëtare, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, shqiptarët vazhdojnë të mbesin të defaktorizuar dhe të parëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe politikat e tij.

“Duhet krijuar një strategji gjithëkombëtare për gjithë kombin. Duhet të kuptohet që integrimet bëhen brenda strukturës kombëtare. Bashkimi Evropian ka krizë të thellë, dhe ideja për një Evropë të bashkuar është diskutabile tashmë”.

“Meqenëse kemi krizë në Bashkim Evropian dhe argumenti i largimit nga Britania e Madhe dhe disa shtete tjera na bëjn ta kuptojmë që nuk kemi të bëjmë me një ardhmëri të sigurt, prandaj është mirë të kemi një strategji dalëse”, tha ai.

Profesori Agim Vinca  tha se për vite me radhë ka mbetur diskursi i njëjtë për integrimin tonë në BE.

“Shqiptarët nuk kanë alternativë tjetër, ndoshta të tjerët rreth nesh kanë, sepse nuk është e rastësishme që Bashkimi Evropian po e lut kaq shumë Serbinë. Dua të them se kjo dëshirë e shqiptarëve për të qenë pjesë e familjes evropiane është e hershme”, tha Vinca.

Profesori Hysamedin Feraj tha se problemi është të bëhemi evropianë e jo të shkojmë në Evropë, raporton EO.

“Ne duam të integrohemi në BE dhe të gjithë zyrtarët evropianë janë deklaruar se duan qe ne të jemi pjesë e tyre, vetëm se procesi nuk ka ndodhur. Ne e duam më shumë se secili popull në rajon anëtarësimin dhe jemi larg nga të gjithë popujt me Bashkimin Evropian. Ne jemi më larg nga të tjerët sepse e duam më shumë”, tha ai.

Të ngjashme