Kurti: Thaçi dikur tradhtar, sot veçse kolaboracionist

Prishtinë | 13 Sht 2018 | 09:49 | Nga

Sipas liderit të Vetëvendosje, Albin Kurti, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka tradhtuar moti shqiptarët, ndërsa tash është kolaboracionist i Serbisë.

Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se për gjashtë vjet të dialogut të Thaçit me Serbinë “nuk janë shpërbërë strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, s’janë kthyer të pagjeturit, s’u kërkua reciprocitet i të drejtave, nuk u përmend diskriminimi në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, nuk u fol për reparacionet e luftës dhe të okupimit, nuk u shtrua sukcesioni nga shpërbërja e Jugosllavisë etj.etj”.

“Në anën tjetër, si pasojë e dialogut 2011-2017: na u shtua fusnota e na u hoq Republika nga emërtimi, u vunë themelet e ‘Zajednicës’, u amnistuan kriminelët serbë në veri dhe u ndanë etnikisht gjyqësori e policia atje, nuk ka liri të lëvizjes në urën mbi Ibër kurse në veri lëvizin vetura pa targa, u krijua Lista Serbe, u sabotua interkoneksioni energjetik me Shqipërinë, nuk na i kthyen librat kadastralë, na e bllokuan anëtarësimin në UNESCO dhe INTERPOL, i shtuan arrestimet ndaj zyrtarëve tanë shtetërorë etj.etj”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas Kurtit, Thaçi s’ka as kredibilitet dhe as legjitimitet për dialog me Serbinë dhe ai s’ka as mandat e as platformë.

“Debakël, gjithsesi. Thaçi nuk ka as kredibilitet dhe as legjitimitet për dialog me Serbinë. Prandaj, nuk është e rastësishme që ai nuk ka as mandat e as platformë. Veçse tradhtinë (ndaj shqiptarëve) e ka bërë moti Thaçi. Sot ai është veçse një kolaboracionist (i Serbisë). Sepse, gjithmonë Beogradi ka dëshiruar që Prishtina ta kërkojë shkëmbimin territorial: asisoj ne heqim dorë nga veriu ndërkohë që ajo s’e jep Preshevën, Medvegjën e Bujanocin”, ka shkruar më tej Kurti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme