Kusari-Lila: Nuk bashkëpunojmë me PAN-in

Prishtinë | 12 Qer 2017 | 12:37 | Nga

Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusrai-Lila, ka falënderuar të gjithë votuesit për kulturën dhe maturinë e treguar në procesin e djeshëm zgjedhor.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ajo ka uruar fituesit e rezultateve preliminare, por ka theksuar se Alternativa, vazhdon të jetë pjesë e koalicionit parazgjedhor dhe në asnjë mënyrë nuk e konsideron ndonjë formë të bashkëpunimit me koalicionin tjetër.

Postimi i saj i plotë:

“Të dashur miq dhe përkrahës,

Shpreh falënderimin dhe respektin e veçantë për të gjithë votuesit e Republikës së Kosovës, për kulturën dhe maturinë e treguar në procesin e djeshëm zgjedhor.

Në veçanti, ju faleminderit të gjithë votuesve të Alternativës dhe koalicionit LDK-AKR-Alternativa-LD, për besimin e treguar në fushatën 10 ditore. Ishte një prej kënaqësive të këtij procesi demokratik, takimi me të gjithë Ju, besimi i treguar nga ana juaj, entuziazmi dhe gëzimi i shprehur për shpresën e re.

Në emrin tim dhe në emër të subjektit që drejtoj, urime për fituesit e rezultatit preliminar dhe suksese në procesin e formimit të institucioneve demokratike të vendit tonë.

Duke qenë të vetëdijshëm për përgjegjësitë që na ngarkon ky rezultat zgjedhor, përkundër që rezultatet ende nuk janë certifikuar, dhe as nuk dihet saktë numri i deputetëve të zgjedhur, Alternativa, vazhdon të jetë pjesë e koalicionit parazgjedhor dhe në asnjë mënyrë nuk e konsideron ndonjë formë të bashkëpunimit me koalicionin tjetër. Konsiderojmë që vendimi i qytetarëve të Kosovës për ndryshime u shpreh qartë dhe ai vendim i sovranit duhet të respektohet.

Edhe një herë, Ju faleminderit të gjithë votuesve pa dallime politike për pjekurinë e treguar dhe pjesëmarrjen në procesin zgjedhor”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme