Kuvendi mblidhet pas fushatës, do të shqyrtojë 11 projektligje

Prishtinë | 20 Nën 2017 | 16:47 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë plenare, këtë të enjte, pas një “pauze” disajavore shkaku i fushatës zgjedhore. Në rend dite ka 11 projektligje dhe disa punë të tjera të mbledhura.

Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga kryetari Kadri Veseli, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare.

Në seancën e 23 nëntorit, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të shqyrtohen për herë të parë 11 projektligje: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit lirinë fetare në Kosovë, Projektligji për kryeqytetin e Republikës së Kosovës/Prishtinën, Projektligji për tatimin në pronën e paluajtshme, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trashëgiminë në Kosovë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën jo-kontestimore, Projektligjit për ndërmjetësim, Projektligji për shoqëritë tregtare, Projektligjit për standardizim, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 04/L-214, Projektligji për infrastrukturën kritike, si dhe Projektligji për noterinë.

Në vazhdim, do të shqyrtohet rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, për shkarkimin e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, ndërsa më pas, tri raporte të institucioneve të pavarura për vitin 2016: raporti i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, raporti financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 dhe raporti për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të Kosovës për vitin 2016.

Seanca e Kuvendit pritet të vazhdojë me formimin e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb, si dhe formimin e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa. Dy pikat e fundit të rendit të ditës do të jenë: zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Haxhiu: Kuvendi i ri ka mbajtur vetëm tri seanca, papërgjegjësi e Veselit

Pas mbledhjes së Kryesisë ka folur deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila tha se prejse janë konstituuar organet e Kuvendit ka pasur pak seanca. “Krejt kjo si pasojë e papërgjegjësisë së kryetarit Kadri Veseli”.

“Në mbledhje diskutuam për seancën e ardhshme. U vendos që seanca të jetë të enjten me 23 pika. Arsyeja që janë grumbulluar është që seancat e Kuvendit janë mbajtur vetëm tri dhe kjo tregon një papërgjegjshmëri të kryetarit Veseli”, u shpreh ajo.

Çështje tjetër që ngriti Haxhiu ishte “uzurpimi” i zyrave të VV-së nga grupi i PDK-së. “Ne kohë më parë, kemi kërkuar që PDK-ja të na i liroj zyrat sepse ne jemi grupi më i madh. Edhe sot kërkuam…”

“Kryetari tha që këtë çështje e bartin tek sekretaria, por ka pasur presion të hatashëm, duke mos e lejuar që ta bëjë punën e saj”, u shpreh deputetja e Vetëvendosjes.

Veseli: Partitë janë pajtuar të mos mbahen seanca gjatë fushatës

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sa iu përket pretendimeve të opozitës që e fajësojnë për mosmbajtjen e seancave, tha se ky ka qenë konsensus ndërmjet grupeve parlamentare. “Për mua kishim mbajt seanca sa herë të duan. Fushata nuk ka penguar”, tha ai.

“E mora vesh (kritikën e Haxhiut) dhe nuk më pëlqeu, sepse prej momentit kur kam ardhur kryetar administrata më ka lajmëruar. Por po e them publikisht të gjitha grupet kanë kërkuar mos me pasë seanca. Ka qenë një konsensus”.

Ndërkaq lidhur me pretendimet e VV-së se PDK-ja ia ka uzurpuar zyrat që atyre iu takojnë si grupi tashmë më i madh parlamentar, Veseli tha se kjo është çështje e Sekretariatit të Kuvendit.

“Është e vërtetë që s’po merren vesh grupet. Krejt çka kam kërkuar, duke u munduar të tërhiqem nga pozicioni politik, kam kërkuar nga institucionet përgjegjëse që kjo çështje të zgjidhet për një javë”, deklaroi Veseli.

Të ngjashme