Kuvendi shpall 5 Shtatorin – Ditë të Bamirësisë “Nëna Terezë”

Prishtinë | 11 Kor 2016 | 15:13 | Nga

Kuvendi miratoi propozimin e Kryesisë për shpalljen e 5 Shtatorit – “Dita e Bamirësisë – Nëna Terezë” në Republikën e Kosovës, ku 61 vota ishin për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Propozimi wshtw mbështetur nga të gjithë shefat e grupeve parlamentare PDK, LDK e Vetëvendosje.

Deputetja, Alma Lama (LDK), tha se shpallja e 5 shtatorit është nder i jashtëzakonshëm, që i bëhet figurës së Nënës Terezë, derisa kërkoi nga Kuvendi, që të reagojë ndaj qarqeve radikale, të cilët siç tha ajo, janë përpjekur ta thyejnë figurën e Nënës Terezë.

“Kuvendi i Kosovës nuk ka reaguar ndaj qarqeve radikale, që janë përpjekur të thyejnë figurën e Nënë Terezës. Ky Kuvend duhet të reagojë fuqishëm ndaj çfarëdo lloj gjuhe e veprimi. Nënë Terezën e nderon mbarë bota, si mos ta nderojmë ne. Kuvendi duhet të reagojë në rast të incidenteve të tilla”, tha ajo.

Kuvendi i Kosovës, në vazhdimin e mbledhjes plenare, shqyrtoi edhe tri raporte të institucioneve të pavarura dhe një propozim.

Rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, për miratimin e raportin e Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2015, e paraqiti deputetja Xhevahire Izmaku, e cila prezantoi, gjithashtu, aspekte përmbajtjesore të raportit.

Për raportin, folën edhe përfaqësues të grupeve parlamentare. Me gjithë prezencën e mjaftueshme të deputetëve në sallë, nuk pati kuorum për votimin e këtij raporti.

Më pas, Kuvendi shqyrtoi raportin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2015. Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa, e prezantoi rekomandimin e këtij komisioni për miratimin e raportit, ndërsa, më pas, qëndrimet e tyre lidhur me këtë raport, i paraqitën edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe deputetë të tjerë.

Kryesuesi i seancës hodhi në votim raportin, por ai nuk e mori përkrahjen e numrit të mjaftueshëm të deputetëve.

Punimet e Kuvendit vijuan me shqyrtimin e raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilin, së bashku me rekomandimin për miratimin e tij, para deputetëve i prezantoi kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu.

Deputetja Safete Hadërgjonaj, prezantoi ndërkaq, rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa, po ashtu, për miratimin e raportit të KQZ-së. Pas shterjes së diskutimeve të deputetëve, Kuvendi miratoi raportin.

Në fund të kësaj mbledhjeje, me votim të fshehtë, Kuvendi zgjodhi Nenad Llaziqin anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb, me mandat 5-vjeçar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme