Labinot Tahiri zgjidhet kryetar i AKR-së në Ferizaj

Ferizaj | 14 Shk 2017 | 19:49 | Nga

Aleanca Kosova e Re (AKR) ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor të degës në Ferizaj. Në Kuvendin ku merrnin pjesë 359 delegatë, me shumicë votash, kryetar është zgjedhur këngëtari Labinot Tahiri. Ai do të jetë dhe kandidat për kryetar komune.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Tahiri tha se AKR-ja do ta sfidojë të keqen që e ka kapluar vendin dhe do të reflektojë barazi dhe respekt shoqëror për të gjithë.

“Duke e zhvilluar vendin dhe duke i ndihmuar njëri tjetrit ne do të dalim nga kjo situatë. Unë ju garantoj se së bashku me AKR-në dhe presidentin Behgjet Pacolli, do ta ndryshojmë Kosovën dhe do ta nxjerrim atë nga ky mjerim”, u shpreh ai.

Në Kuvend, merrte pjesë dhe presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli. Në fjalën e tij para qytetarëve të Ferizajt, presidenti Pacolli foli për synimet e AKR-së për Ferizajn si dhe për vizionin liberal që i nevojitet Kosovës.

“Synimi politik i AKR-së mbetet krijimi i një qeverie dhe udhëheqësie shtetërore të përgjegjshme, profesionale dhe transparente, me njerëz që veprojnë lirshëm, me plot profesionalizëm, transparencë dhe përgjegjësi. Ne do ta ndërtojmë një shtet të lirë, të barabartë për të gjithë, i cili garanton siguri dhe ligjshmëri”, tha kreu i AKR-së. “Krijimi i një shteti të fortë ekonomikisht, garanton shërbime dinjitoze si dhe mundësi më të mëdha për edukim dhe punësim për qytetarët e Kosovës”.

Punimet e Kuvendit i hapi zëvendëskoordinatori i degës, Amir Rexhepi,i cili foli për themelimin e 28 nëndegëve në Ferizaj, si dhe i falënderoi të gjithë përfaqësuesit e këtyre nëndegëve për punën e tyre.

Kuvendi më pas ka zgjedhur edhe strukturat tjera udhëheqëse të degës, me nënkryetarët Ibrahim Hyseni, Agim Sinani, Dr. Ekrem Mustafa, sekretarin Amir Rexhepi si dhe Kryesinë e degës të përbërë prej 20 anëtarësh.

Dega e Ferizajt është ndër degët e fundit që përmbyll procesin e brendshëm zgjedhor të partisë që udhëhiqet nga biznesmeni Behgjet Pacolli. Kjo parti, në zgjedhjet e fundit, mbeti jashtë Parlamentit.

Image may contain: 20 people, people standing, crowd and indoor

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme