LDK-ja e dërgon Thaçin në Kushtetuese për deklaratat për “korrigjim territoresh”

Prishtinë | 07 Gus 2018 | 20:37 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka mbajtur një mbledhje dyorëshe, në kryesimin e Isa Mustafës, ku ka diskutuar qëndrimet lidhur me fazën finale të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Por, për gazetarët të cilët ishin ftuar ta mbulonin këtë ngjarje, në fund nuk ka pasur asnjë prononcim.

Ismet Beqiri dhe Lutfi Haziri thanë shkurt se do të lëshohet një komunikatë për medie.

E Mustafa, i cili paraqitet në publik pas një kohe të gjatë pasi ishte përballur me një sëmundje, ka dalë nga një hyrje tjetër, duke shmangur gazetarët.

Komunikata e LDK-së: Deklaratat e presidentit Thaçi në kundërshtim me Kushtetutën

Lidhja Demokratike e Kosovës, nëpërmes një komunikate shtypi të lëshuar pas takimit, ka thënë se po ndjek me shumë kujdes debatin dhe qëndrimet lidhur me fazën finale të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Lidhja Demokratike beson se çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut.

Kjo parti e vlerëson lart rolin e Bashkimit Evropian në këtë proces dhe përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe beson se të dyja këto, sidomos në këtë fazë, duhet të jenë të përfshira plotësisht në proces.

“Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se ditëve të fundit, sidomos nga ana e Presidentit të vendit, janë bërë deklarata të pamatura, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me mandatin kushtetues të Presidentit, prandaj LDK-ja konsideron se është e domosdoshme që lidhur me këtë të kërkojë opinionin e Gjykatës Kushtetuese”.

“Presidenti i vendit ka dështuar që të ketë funksion unifikuesi dhe garantuesi të rendit kushtetues të vendit, duke cenuar pikërisht këtë rend, me anën e qëndrimeve të tij”, theksohet në komunikatën për medie.

LDK e përsërit se presidenti Thaçi nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces, sepse ai nuk është mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës përsërit se kufijtë dhe subjektiviteti shtetëror i Kosovës janë përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe thekson faktin se Kosova është pranuar nga shumica e kombeve të lira të botës. Prandaj, marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet: duke mos e cënuar në asnjë formë integritetin territorial të Kosovës; duke e ruajtur karakterin unitar të shtetit të Kosovës dhe duke e respektuar frymën e Kushtetutës së Kosovës”.

LDK vlerëson se dialogu duhet të udhëhiqet nga institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës, pas verifikimit të legjitimitetit me anë të votës së qytetarëve të Kosovës në zgjedhje të parakohshme, meqë institucionet aktuale e kanë humbur fuqinë politike dhe legjitimitetin qytetar për ta drejtuar dhe për ta përfaqësuar Kosovën.

Në fund, LDK thekson se është e gatshme të bëhet pjesë aktive e procesit të dialogut, por vetëm pas legjitimimit qytetar përmes votës së lirë.

Të ngjashme