LDK-ja i frikësohet “tradhtisë” së tre deputetëve

Prishtinë | 13 Kor 2017 | 20:04 | Nga

Kur thirrja e seancës konstituive të Kuvendit, e cila hap rrugën për krijimin e qeverisë, ka mbetur çështje ditësh, edhe bisedat brenda partiake janë shtuar.

Haradinaj, i cili po takohet me të gjithë për të siguruar votat, ka shpresë që nëse nuk arrin koalicion me ndonjërën nga partitë shqiptare, të merr disa deputetë që do t’ia mundësonin votimin e qeverisë së tij, shkruan gazetametro.net.

E, siç merr vesh Metro, në rast se nuk ka koalicion, janë tre deputetë të koalicionit LAA që do të mund ta votonin Haradinajn, e ndaj të cilëve LDK-ja po ka një lloj frike. Bëhet fjalë për vajzën e presidentit historik Ibrahim Rugova, Teuta Rugovën, për të cilën Metro kishte raportuar edhe më herët se mund ta votonte Haradinajn. Dy deputetë të tjerë që po u frikësohet LDK-ja, janë Labinot Tahiri dhe Ramiz Kelmendi.

Siç kishte shkruar Metro kohë më parë, familja Rugova e Haradinaj kanë krijuar një afërsi, e cila mund të përdoret për të shtyrë deputeten Rugova ta votojë Haradinajn. Kjo, madje, do të bëhej me ‘presionin’ direkt të vëllait të saj, Ukës, i cili ka një miqësi me deputetin e AAK-së, Daut Haradinaj.

Për Labinot Tahirin është e dijshme edhe publikisht që mund ta votojë Haradinajn, pasi e ka thënë vetë. Madje Tahiri e kishte quajtuar ‘hero’ Haradinajn, duke u dhënë kritika më pas partnerëve të koalicionit që nuk kishin pranuar të takoheshin me Ramush Haradinajn.

Ndërkaq, deputeti i tretë që do të mund ta votonte Haradinajn, e për të cilin po frikësohen brenda LDK-së, është Ramiz Kelmendi, i cili kohë më parë kishte qenë pjesë e partisë së Haradinajt. Duke parë një lidhje të më hershme dhe një ambicie të përhershme të Kelmendit për të marrë postin e zëvendëskryeministrit, brenda LDK-së mendojnë se ai mund ta votojë ish-shefin e vetë.

Ndryshe, Haradinaj dhe koalicioni i tij kanë fituar 39 deputetë në Kuvend, ndërkohë që nëse arrijnë marrëveshje me pakicat përsëri s’do të mund të arrinin numrin e nevojshëm të votave për të krijuar Qeverinë e re. Megjithatë, Haradinaj ka potencuar se i ka numrat për ta bërë atë, e në rast se ka votat e këtyre tre deputetëve, do të arrinte në 62 vota, të mjaftueshme për të krijuar qeverinë e ardhshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme